I dëmtuari tregon se si u plagos me dy plumba dhe shoku i tij me 13, në rastin që kishte ndodhur afër shkollës “Sami Frashëri” në Prishtinë

IMG-1841
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Mars 13, 2019

Prishtinë – I dëmtuari Nazmi Uka, në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se si ai dhe shoku i tij Zenel Jashari, ishin plagosur nga i akuzuari Adhurim Krasniqi, afër shkollës “Sami Frashëri”, në Prishtinë, me 2 qershor 2018.

Bashkë me të akuzuarin Krasniqi për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, po akuzohet edhe Fatbardh Abazi.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ilaz Beqiri, ka thënë se të dëmtuarin Jashari e kishte vëlla të gruas dhe se të njëjtën ditë kur kishte ndodhur plagosja, kishin shkuar në “Albi Mall”, për të pirë kafe dhe se kur ishin kthyer në qendër të qytetit, tek Xhamia e Madhe, një person kishte gjuajtur në drejtim të tyre.

“Kur jemi kthyer qendrës së qytetit, tek Xhamia e Madhe, në drejtim të Gërmisë, ka qenë kolonë,  xhamat i kemi pasur të hapura, u ardhë personi me armë në dorë të majtë diku afër gjys metre në drejtim të Zenelit, e ka futur dorën afër veturës dhe pa ndërprerë ka shtënë rrefallë pa nderprerë në drejtimin tonë”, ka deklaruar i dëmtuari Jashari.

Ai tha se në ato momente kishte dalë nga vetura, dhe se sipas video incizimeve sulmuesi kishte shkuar në drejtim të veturës “Audi”, në të cilën tha se kishte qenë vetëm shoferi.

Sipas tij, vetura “Audi” i kishte përcjell nga mbrapa gjatë gjithë kohës, ndërsa tha se një person me një veturë zyrtare, i kishte ndihmuar dhe i kishte dërguar që të dy në QKUK.

“Unë kam qenë i plagosur dy herë në këmbën e djathtë, Zeneli 13 plagë i ka marrë nëpër këmbë “nër shok” dhe dy plumba në dorë, mirëpo tash nuk kam pasoja me shëndet”, ka thënë ai.

Sipas të dëmtuarit Uka, në bazë të fotografive që ia kishte treguar policia, të akuzuarin Adhurim Krasniqi e kishte identifikuar si personin që i kishte plagosur.

“Ka pasur kapelë, nuk e kam parë fytyrën definitiv, por në foto e kam parë se ka qenë e ngjashme, unë vetëm në kamera e kam parë sulmuesin tu hyp në veturë e jo atë ditë”, tha ai.

Sipas të dëmtuarit, qëllimi i të akuzuarit Krasniqi kishte qenë plagosja e të dëmtuarit Jashari, i cili sipas tij, kishte qenë në hasmëri me një fqinj të tij që gjashtë vite, emrin i të cilit tha se është Naser Sekiraqa.

“Zeneli ka pasur problem me Naser Sekiraqen, edhe nuk janë pajtu kurrë, dyshimet janë kanë që ata nuk dalin që e plagosin dikën vet, por që dyshimet janë që ata i paguajnë dikën me kry kësi lloj shërbimesh”, ka thënë ai.

Ai tha se qëllimi i sulmuesit kishte qenë vetëm plagosja, pasi sipas tij, nëse ai e kishte pasur qëllim për t’i vrarë, këtë kishte pasur mundësi që ta bëjë që kur kishin qenë në “Albi Mall”.

Në deklaratën e të dëmtuarit, paraqiti vërejtje mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj, pasi sipas tij, i dëmtuari në polici ishte përgjigjur se personin që kishte gjuajtur me armë e kishin parë vetëm nga mbrapa e jo nga fytyra, ndërsa gjatë dhënies së dëshmisë në këtë seancë, ai kishte deklaruar edhe detajet se si kishte ardhur dhe nga kush ishte paguar.

Ndryshe, në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Arbër Geci, i cili iu kishte ndihmuar dy të dëmtuarve duke i dërguar me veturën e tij në QKUK.

Ai ka thënë se në ditën kritike kishte qenë duke udhëtuar pranë shkollës “Sami Frashëri”, në drejtim të Gërmisë me makinën zyrtare të Ministrisë së Arsimit, kur kishte dëgjuar të shtëna.

“Kam parë njerëz duke vrapuar dhe njerëz duke dalë nga makina, distanca mes meje dhe makinës që është sulmuar ka qenë 2-3 makina mes nesh…unë nuk e kam parë momentin e ngjarjes, por pasi makinat që ishin mes nesh ishin larguar, e kisha mundësinë që unë ta ofrojë makinën në vendin e ngjarjes, e ofrova makinën, shoferi e ndihmoi të plagosurin tjetër që të hypë në makinën time dhe kemi shkuar në drejtim të spitalit”, ka thënë dëshmitari Geci.

Po ashtu, dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari Enis Osmani, i cili kishte qenë pronar i makinës “Audi A 3”, me të cilën pretendohet se dy të akuzuarin kishin qenë në ditën kur kishte ndodhur ngjarja.

Ai tha se e njihte të akuzuarin Abazi, pasi ia kishte shitur disa vetura, ku njëra ndër to kishte qenë edhe një “Audi A3”,  ngjyrë e zezë, të cilën tha se e kishte pasur në posedim 2-3 javë.

Sipas tij, vetura akoma ishte e regjistruar në emër të tij, pasi ishin marrë vesh me të akuzuarin Abazi për shkak të regjistrimit.

Ai tha se i akuzuari Abazi nuk i kishte treguar se çfarë kishte bërë me këtë veturë, por tha se e kishte marrë vesh se nga policia se diçka kishte ndodhur me të.

Ndryshe në këtë seancë ka munguar i dëmtuari Zenel Jashari, për të cilin kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala ka thënë se sipas policisë gjendej në shtetin e Italisë.

Për shkak të mungesës së tij, prokurori Beqiri ka thënë se sipas disa informacioneve Jashari ishte larguar nga vendi, pasi ndaj tij ishte duke u zhvilluar një procedurë penale dhe për të cilën kishte qenë në kërkim nga organet e ndjekjes, prandaj ai propozoi të lexohet deklarata e tij që e kishte dhënë në polici.

Këtë e kundërshtoi, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj, pasi sipas tij, i dëmtuari nuk ishte dëshmitar, dhe së nëse nuk merret deklarata e tij konsiderohet shkelje absolute.

Po ashtu, ai propozoi që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet edhe masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Abazi, avokati Mentor Neziri propozoi që të mos vendoset për këtë propozim menjëherë, por të shikohet nëse gjatë shqyrtimit gjyqësor do të kishte mundësi që të sigurohej prezenca e të dëmtuarit.

Mirëpo, trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit Beqiri që deklaratat e të dëmtuarit Jashari të dhëna në polici me 13 qershor dhe 22 korrik 2018, të lexohen për shkak se sipas tyre, i dëmtuari ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes dhe se mos prezenca e tij do ta prolongonte këtë çështje penale.

Ndryshe në këtë seancë janë lexuar edhe provat materiale të cilat gjendën në shkresat e lëndës.

Avokati Latifaj i kundërshtoi ekspertizat mjekoligjore dhe të balistikës, pasi sipas tij, nuk mund të pajtoheshin me një ekspertizë të një të dëmtuari të cilin as nuk e kishin parë, nuk kishin pasur mundësi që ti parashtronin pyetje, nuk kishin dijeni nëse ishte i lënduar apo jo, dhe një ekspertizë e balistikës që sipas avokatit është kryer me dyshime.

Kështu, trupit gjykues pas konsultimit vendosi të ftojë ekspertin e mjekësisë ligjore dhe atë të balistikës.

Ndërsa në lidhje me propozimin e avokatit Latiaj për ndërprerjen e masës së paraburgimit për të akuzuarin Krasniqi, trupit gjykues e refuzoi këtë propozim i cili është kundërshtuar edhe nga prokurori Beqiri.

Ndryshe në seancën fillestare prokurori Beqiri për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, kishte hequr dorë.

Po ashtu, në këtë seancë i akuzuari Krasniqi kishte pranuar se u ishte gjetur një armë, por jo arma me të cilën prokuroria pretendon se e ka kryer veprën penale, prandaj ky pranim fajësie është refuzuar.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 18 mars 2019, në ora 13:30.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 11 dhjetor 2018 kishte përpiluar aktakuzën ndaj të akuzuarve Adhurim Krasniqi për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,  dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, si dhe ndaj të akuzuarit Fatbardh Abazi, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Sipas aktakuzës, me 12 qershor 2018, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.

Në aktakuzë thuhet se me veturën “Audi A 3”, pronë e të akuzuarit Fatbardh Abazi, të cilën e kishte drejtuar i akuzuari Krasniqi, kishin përcjellë lëvizjet e të dëmtuarit Jashari dhe në momentin kur ai kishte qenë në veturën e tij “Ford” të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Uka, i akuzuari Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe më armë në dorë ishte afruar tek pasagjeri dhe pasi dritarja kishte qenë e hapur e kishte futur dorën brenda në veturë dhe kishte dhënë 15 herë në drejtim të të dëmtuari Jashari.

Për shkak të këtyre të shtënave, dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa i akuzuari Krasniqi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i akuzuari Abazi e kishte kthyer veturën me shpejtësi në drejtim të qendrës dhe kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur, ku për një kohë kishin qëndruar në arrati.