I dëmtuari tregon se si u kanos nga i akuzuari, thotë se i njëjti po e ndjek ngado që shkon

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – I dëmtuari S.G. tha se i akuzuari I.M., më 29 prill 2020, në Damjan të Gjakovës, e ka kanosur atë me fjalët: “Pa të hekë nuk e la”.

Në seancën e mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Anton Hasanaj, i dëmtuari tha se më parë kishte pasur raporte të mira me të akuzuarin.

“Një ditë përpara më ka thirrë në telefon dhe më ka thënë: “Pse ka hy djali yt në livadh me kerr”, e kam pyet se kur ka hy djali jem a bon me ditë dhe se nëse djali im të ka bërë dëm të përgjigjna unë dhe ta paguaj dëmin. Më tha nuk ki nevojë se na mirremi vesh”, tha i dëmtuari.

Ai tha se ditën kritike kishte qenë duke shkuar në punë bashkë me një kolegë, pasi që punon si roje pylli në Prizren.

“Derisa unë ika në drejtim të punës time dhe nga 200 metra larg që isha ka bërtit: “O zotni me ty kam punë, nalu se me ty kam punë”, i kam thënë më ke thirr në telefon dhe të kam thënë se të përgjigjem për dëmin që të ka bërë fëmija im dhe më ka kërcënu më tha se në kofsha gjallë kam me të hek”, tha i dëmtuari.

Tutje, i dëmtuari tha se i akuzuari e kishte nxjerrë edhe revolen e tipit TT prodhim rus.

“E ka nxjerrë revolen TT të cilën e posedon nga Serbia, e ka lejen. Aty Fidani i ka thënë a po sheh që jemi 5-6 vet  e ti pse e nxjerr revolen po shtine brenda e shko n’shpi”, tha i dëmtuari.

Ai shtoi se ka qenë i frikësuar dhe nuk e ka ndjerë vetën të sigurt duke shtuar se: “Çdo vend ku shkoj më ndjek edhe ky hyn”.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 21 qershor 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se I.M., më 29 prill 2020, rreth orës 1700, në fshatin Damjan të Gjakovës, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin S.G.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pas një konflikti verbal mes tyre lidhur me kalimin nëpër livadhin e të akuzuarit, i njëjti fillimisht e pyet se “pse më ke ra në livadh”, e pasi i dëmtuari i përgjigjet se pa qëllim i ka rënë me veturë djemtë dhe ta paguaj dëmin, menjëherë i akuzuari e kërcënon me fjalët “S’ki nevojë me pagu dëm asgjë po pa të hek nuk e la”, ashtu që e vendos dorën në brez ku e mbante armën, me këtë veprim tek i akuzuari ka shkaktuar frikë dh ankth.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë