I dëmtuari thotë se s’mund t’i identifikojë personat që me maska grabitën bastoren ku punonte

viber_image_2020-01-20_13-53-42
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 20, 2020

Prishtinë – I dëmtuari Hasan Borovci, ka deklaruar se ai nuk mund t’i identifikoi personat që kishin kryer grabitje në bastoren “Lumi”, në Prishtinë, për shkak se sipas tij, ata kishin qenë me maska.

Një deklaratë të tillë, i dëmtuari Borovci, e ka dhënë në seancën e së hënës, në të cilën për herë të tretë ka nisur gjykimi në këtë rast, i cili dy herë është kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kë rast, Agron Gashi dhe Alfred Sinani akuzohen se në vitin 2011, me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, të armatosur dhe me maska si dhe duke përdorur forcën, në bastoren “Lumi” kishin grabitur rreth 3000 euro.

I akuzuari Gashi, ngarkohet edhe me dy vepra të tjera të grabitjes dhe dy të armëmbajtjes, për këto të fundit prokurori i çështjes, është tërhequr nga ndjekja penale për shkak se të njëjtat ishin përfshirë në amnisti.

Në seancën e së hënës, pasi që dy të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm, është dhënë fjala hyrëse dhe është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, i dëmtuari Hasan Borovci.

Ai ka thënë se në natën kritike, personat të cilët kishin grabitur bastoren ku ai punonte, kishin qenë të maskuar, ndonëse objekti kishte qenë i ndriçuar mjaftueshëm, por për shkak të maskave ai nuk kishte mundur t’i identifikonte.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit, Ilaz Beqiri, i dëmtuari deklaroi se grabitësit nuk mund t’i identifikoi, por sipas tij, njëri kishte qenë më i gjatë dhe tjetri më i shkurt.

I dëmtuari po ashtu deklaroi se me tani të akuzuarit kishte pasur raporte shoqërore, meqenëse sipas tij, ata kishin qenë nga i njëjti fshat.

“Unë nuk e kam akuzu kërkon, përderisa jon kon me maska unë nuk kam mujt me i vrejtë, edhe me pas kon baba jem a djali jem unë e kisha akuzu se unë kam qenë i rrëzikum”, ka thënë i dëmtuari.

Gjykatësi Shala, kërkoi nga dëshmitari të dijë se dy të akuzuarit a kishin qenë ndonjëherë në bastore, për çka dëshmitari deklaroi se ata i kishte njohur dhe kishin qenë në bastore dhe se kishin qëndruar bashkë.

“Po nga zëri i personave që kishin kërkuar paratë në ditën kritike, a i ke njohur”,  ka pyetur  gjykatësi Shala, e që dëshmitari është përgjigjur duke thënë se në bazë të zërit nuk i kishte njohur.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, prokurori Beqiri, propozoi që dëshmitarët të cilët ndodhen jashtë vendit të mos ftohen, por me qëllim të mos prolongimit të çështjes, dëshmitë tyre të lexohen.

Ndërkaq, për dëshmitarët tjerë të propozuar në aktakuzë, propozoi që të njëjtit të ftohen.

Në mënyrë që për seancën e radhës të ftohen për t’u dëgjuar edhe dëshmitarët tjerë, seanca është ndërprerë për të vazhduar më 6 shkurt 2020, nga ora 9:30.

Po ashtu, gjykatësi Shala, tha se lidhur me propozimin e prokurorit, gjykata do të vendos në seancën e ardhshme.

Ndryshe, lidhur me këtë rast ishte vendosur dy herë, fillimisht ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 15 mars 2012, të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të grabitjes, duke i dënuar me nga tre vjet burg.

Gashi ishte shpallur fajtor edhe për dy vepra të tjera të grabitjes dhe dy të armëmbajtjes, për çka gjykata ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej gjashtë vjetësh.

Pas ankesave të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve, Gjykata e Apelit këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 dhjetor 2013, të akuzuarit i kishte gjetur sërish fajtorë për veprën penale të grabitjes.

Gjykata ndaj të akuzuarit Gashi kishte shqiptuar dënim unik me burg, në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj burg, ndërkaq për të akuzuarin Sinani tre vjet burg efektiv.

Por, më 19 janar 2015, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, pas aprovimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

Ndryshe, më 19 maj 2011, ish-Prokuroria Publike e Qarkut kishte ngritur aktakuzë ndaj Agron Gashi dhe Alfred Sinani.

Në pikën 1 të këtij dispozitivi, ata akuzohen se në bashkëkryerje, më 23 janar 2011, me qëllim që vetës t’i sillnin dobi pasurore të kundërligjshme, të armatosur, me maska dhe nën përdorimin e forcës kishin grabitur bastoren “Lumi”, në Hajvali.

Ata akuzohen se natën kritike ishin futur në lokal, dhe të dëmtuarve Hasan Borovci, Bashkim Baftia dhe Blind Vrajolli, u kishin shkaktuar lëndime trupore dhe nga ta kishin arritur t’i marrin fillimisht 500 euro, e pastaj edhe 2100 euro.

Pika 2 e  aktakuzës, Gashin e ngarkon edhe me një vepër tjetër të grabitjes, pasi që i njëjti më 16 nëntor 2010, në Hajvali, afër lokalit “Fini”, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, të dëmtuarit Albin Makolli dhe Veton Vitia, u nxjerr thikën dhe nën kërcënim nga ta merr telefonat e tyre.

Në pikën 3 të kësaj aktakuze, Gashi akuzohet se më 1 dhjetor 2012, në Hajvali, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të dëmtuarit Kastriot Fazliu, Besart Vitia dhe Fitim Fetahu, në oborrin e shkollës “Shkëndija” nxjerr thikën dhe  revolen e tipit të panjohur, duke arritur që nga të dëmtuarit të marr telefona. /Betimipërdrejtësi