I dëmtuari thotë se pasi u rrëzua nga goditja e veturës, njëri i akuzuar e goditi me sëpatë e tjetri me mjet të fortë në këmbë

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- I dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Isa Vishi tha se pasi e goditi vetura në pjesën e përparme ishte rrëzuar dhe më pas, i akuzuari Agim Istrefi kishte dalë nga vetura dhe e kishte goditur me pjesën e pasme të sëpatës e pas tij, i akuzuari Kushtrim Istrefi e kishte goditur me mjet të fortë në këmbë, duke humbur kështu vetëdijen.

Këtë deklarim, i dëmtuari Vishi e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku Agim dhe Kushtrim Istrefi akuzohen për tentim vrasjen e Vishit, ndërsa Agimi ngarkohet edhe për “Lëndim të lehtë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dëmtuari Vishi ka deklaruar se me dy të akuzuarit Istrefi njihet që 10 vite dhe se më parë, djali i tij kishte një mosmarrëveshje me vëllain e të akuzuarit Kushtrim dhe se këta dy të fundit kishin pasur një përleshje mes tyre, një vit para se të ndodhte rasti në fjalë.

I dëmtuari Isa Vishi, ka thënë se pasi që kishte ndodhur ajo përleshje, të njëjtit më pas janë pajtuar dhe pas ngjarjes ishte takuar shumë herë me të akuzuarit, por që asnjëherë nuk kishin pas probleme.

Ndërsa, në ditën kritike i dëmtuari së bashku me një punëtor, i cili atëherë kishte punuar tek i dëmtuari si gurthyes, kishin shkuar për të rregulluar rrjedhën e burimit të ujit që kishte defekt, duke lënë veturën anash rrugës dhe kishin ecur në këmbë.

“Pasi që e kemi rregulluar defektin, me të arritur tek vetura ime, kam pa veturën tjetër duke lëvizur në drejtim tim, e cila më ka goditur në pjesën e përparme, kështu jam rrëzu dhe kam qenë trulluar”, ka thënë i dëmtuari Isa Vishi.

Prokurori Valdet Avdiu, ka pyetur të dëmtuarin se çfarë kishte ndodhur më tutje nëse i kujtohej dhe i dëmtuari u përgjigj se ishte munduar të largohej, pastaj kishte parë të akuzuarin Agim, i cili kishte dalë nga vetura me sëpatë dhe e kishte goditur me pjesën e pasme të sëpatës.

Tutje, i dëmtuari tha se ishte goditur edhe nga i akuzuari Kushtrim, i cili e kishte goditur me mjet të fortë në këmbë, kështu i dëmtuari tha se kishte humbur vetëdijen.

“Pas dy ditësh më është kthyer vetëdija, derisa isha i shtrirë në spital, ku kam qëndruar 5 javë, gjatë qëndrimit në spital, jam operuar në të dyja këmbët, pasi dola nga spitali nuk kam mundur të ecë pa ndihmën e karrocës”, tha i dëmtuari.

I njëjti shtoi se më pas e ka humbur edhe dëgjimin 90% në veshin e majtë dhe 40% në veshin e djathtë.

Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Sherif Hasani, më 27 janar 2022.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Agim dhe Kushtrim Istrefi, më 5 mars 2020, në fshatin Semaj, Komuna e Kaçanikut, me dashje kishin tentuar që ta privonin nga jeta të dëmtuarin Isa Vishi.

Në akuzë, thuhet që pas një mosmarrëveshjeve të mëhershme, të pandehurit me të takuar të dëmtuarin, fillimisht i pandehuri Agim i cili kishte drejtuar automjetin e tij të markës “Mercedes” me qëllim e kishte goditur të njëjtin në pjesën e këmbëve duke e mbështetur për veturën e tij.

Tutje, të pandehurit më pas thuhet se kishin dalë nga automjeti dhe fillimisht i pandehuri Kushtrim me sëpatë e kishte goditur të dëmtuarin në të dy këmbët dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Më pas, aktakuza thotë se edhe i pandehuri Agim me të njëjtën sëpatë e kishte goditur në të dy këmbët, në pjesë të ndryshme të trupit si dhe në pjesën e kokës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si pasojë e këtyre goditjeve i dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda trupore si thyerje në pjesën e sipërme të dy kërcinjve të këmbëve, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë, që si të tilla paraqesin dëmtime të rënda trupore të përshkruara si në ekspertizën mjekësore të 25 qershorit 2020.

Me këtë, në bashkëkryerje ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentative” nga neni 172, lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në dispozitivin II. të aktakuzës, thuhet se i pandehuri Agim Istrefi, më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivë të parë të kësaj aktakuze, kishte lënduar të dëmtuarin Sherif Asani, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të ndodhur aty për aty, fillimisht e kishte goditur me një guri në të dy duart të dëmtuarin, e më pas me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij të markës “Mercedes” (mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore) të njëjtin e kishte goditur në këmbën e djathtë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore të përshkruara si në ekspertizën mjekësore të 22 korrikut 2020.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë