I dëmtuari thotë se nën kanosjen me armë ia kishte kaluar shtëpinë e tij në pronësi të të akuzuarit

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- I dëmtuari Xhafer Hyseni ka deklaruar se i akuzuari dhe grupi i tij e kanë kërcënuar dhe kanosur me armë për të ia kaluar në pronësi katin e dytë, katin e tretë dhe podrumet e shtëpisë së tij, ndërsa shtoi se ishte detyruar nga të njëjtit të pranonte borxhin me fajde të dikujt tjetër. 

Këtë deklarim i dëmtuari Hyseni e bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit për veprën penale të detyrimit, Imer Gërbeshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme të pranishëm në sallë ishin prokurori i shtetit Bogdan Spadijer, i akuzuari Imer Gërbeshi me dy mbrojtësit e tij, avokatin Bashkim Mehana si mbrojtës kryesor dhe avokatin Predrag Milkoviq, si dhe i dëmtuari-dëshmitari Xhafer Hyseni.

Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë, prokurori Spadijer, në fjalën hyrëse deklaroi se pa asnjë dyshim gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor përmes provave materiale si dhe me anë të deklaratave të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, do të vërtetohet fajësia e pakontestueshme e të akuzuarit Imer Gërbeshi, për veprën penale që i vihet në barrë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gërbeshi, avokati Bashkim Mehana në fjalën hyrëse deklaroi se prokuroria nuk ka bërë kualifikim adekuat ligjor të veprës penale, pasi tha se e ka ngarkuar të mbrojturin e tij me veprën penale të detyrimit, sipas KPRK-së të vitit 2013, ndërsa i njëjti ngarkohet për veprimet inkriminuese që i ka ndërmarrë nga viti 2002-2007, dhe sipas tij kualifikimi adekuat ligjor nga ana e prokurorisë duhet të jetë sipas Kodit të Përkohshëm Penal të vitit 2004 nga neni 267, si ligj që ka qenë në fuqi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale.

Avokati Mehana shtoi poashtu se kualifikimi ligjor i veprës penale ndaj të mbrojturit të tij, sipas Kodit Penal të vitit 2013 nuk është ligj më i favorshëm për të akuzuarin.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor vijoi me dëgjimin e të dëmtuarit Xhafer Hyseni, në cilësinë e dëshmitarit, i cili deklaroi se i akuzuari bashkë edhe me disa persona të tjerë e kanë detyruar që të pranojë borxhin e një personi tjetër me emrin A.Z, duke e kërcënuar me vrasje të të njëjtit dhe marrje të objektit afarist të të dëmtuarit Hyseni, nëse nuk e merr borxhin e tij.

Ai deklaroi se kjo është mënyra se si i akuzuari Gërbeshi dhe tre persona të tjerë e kanë futur në fajde.

I dëmtuari-dëshmitari Hyseni deklaroi se kishte pasur kohë një muaj për të kthyer atë borxh, e të cilin nuk kishte mundur ta kthejë me kohë, ndërsa deklaroi se kamatën e kishte pasur 11%.

Ai deklaroi se evidencën e borxheve e kishte mbajtur B.G, vëllai i të akuzuarit, ndërsa kërcënimet dhe kanosjet me revole ndaj tij ishin kryer nga i akuzuari Imer Gërbeshi.

Dëshmitari Hyseni deklaroi se ishte kërcënuar dhe detyruar me dhunë nga i akuzuari Gërbeshi të shkojë në Gjykatën e atëhershme në Vushtrri dhe t’i nënshkruajë dokumentet për kalimin e pronësisë së tri kateve të shtëpisë së tij dhe bodrumit tek vëllezërit Gërbeshi.

Ai shtoi se ishte detyruar që katin e dytë, katin e tretë dhe podrumet e shtëpisë t’ua shesë vëllezërve Gërbeshi nën vlerën reale të objektit.

“Bile një herë më kujtohet që më patë thanë ky Imeri, ti e ki lehtë vec ka 5000 euro në muajt, ka të tjerë që duhet të paguajnë me nga 15-20 mijë euro në muajt”, shtoi tutje Hyseni.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, se përse nuk e ka lajmëruar në polici dhe organet e drejtësisë të akuzuarin Gërbeshi, ai tha se nuk ka besuar në punën e të njëjtëve.

“Kënd me lajmëru? Pas luftës nuk është ditë kush është polic, kush gjyqtar, as asgjë, i forti i ka pasë krejt në dorë, edhe këta kanë qenë grup që kanë bo qka kanë dashtë në qytet”, deklaroi i dëmtuari.

Tutje në dëshminë e tij, i dëmtuari Hyseni deklaroi se të njëjtëve u’a kishte dhën 120 mijë euro, vetëm për të shpëtuar shtëpinë e tij.

Ai tha se ato para i ishin kthyer nga të njëjtit kohë pas kohe.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Mehana, i dëmtuari-dëshmitari deklaroi se A.Z, të cilit ishte detyruar nga i akuzuari dhe vëllezërit e tij t’ia merrte borxhin, ditë më parë i’a kishte dhënë një lokal me qira, ndërsa pretendonte se ai e kishte bërë këtë me qëllim që ta fuste në fajde me Gërbeshët.

Kjo pasi menjëherë pasi i’a kishte dhënë lokalin me qira, A.Z, i akuzuari Gërbeshi me grupin e personave tjerë kishin filluar të frekuentojnë shtëpinë dhe lokalet e të dëmtuarit.

Ai tha se nuk kishte pasur tjetër mundësi pos t’i nënshtrohet kërcënimeve dhe kanosjeve për të pranuar borxhin e personit tjetër, pasi sic tha ai ishte kërcënuar me vrasje të atij personi, dhe marrje të lokalit.

I dëmtuari-dëshmitari deklaroi se më vonë për këto ngjarje kishte shkuar në gjykatë në Vushtrri tek gjyqtari Beqir Halili, për të cilin tha se e ka injoruar dhe larguar nga zyrja në mënyrë arrogante dhe kërcënuese.

I dëmtuari shtoi se shumë herë është kërcënuar me vdekje nga i akuzuari, prandaj është detyruar të i’u nënshtrohet kërkesave të tij dhe grupit të tij.

Tutje, i dëmtuari-dëshmitari Xhafer Hyseni refuzoi të përgjigjet në pyetjet e rradhës të mbrojtësit Mehana si dhe në pyetjet e të akuzuarit Gërbeshi.

Ndërsa, në seancën e sotme nuk ishte e pranishme dëshmitarja Sanije Hyseni, bashkëshortja e dëshmitarit Hyseni, i cili deklaroi se e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk mund ta dijë me siguri se kur do të përmirësohet gjendja e saj.

Në këto rrethana, gjyqtarja Dragica Jakovljeviq konstatoi shtyerjen e seancës së sotme për datë të pacaktuar, ndërsa seanca e rradhës do të caktohet me shkrim.

Ndërsa, u obligua dëshmitari Hyseni që të njoftojë prokurorin e rastit në momentin kur bashkëshortes së tij i përmirësohet gjendja shëndetësore, në mënyrë që të japë dëshminë në gjykatë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 23 korrik 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Imer Gërbeshit, me pretendimet se i njëjti, që nga viti 2002 e më tutje deri më 2007, në Vushtrri, me qëllim që vetit ti siguroj dobi të paligjshme pasurore, duke e përdorur kanosjen serioze dhe me anë të përdorimit të armës, së bashku me tani të ndjerin B.G e kanë detyruar të dëmtuarin Xhafer Hyseni i cili e ka pasur shtëpinë me tre kate dhe oborrin, në Vushtrri, në sipërfaqe të përgjithshme prej 3 ari dhe 7 metra, që në dëm të vetin t’ia shes nën vlerë të konsiderueshme reale katin e dytë dhe të tretë B.G e bodrumet Avdullah Gërbeshit, vëllait të të pandehurit, dhe në këtë mënyrë e kanë lënë pa pronë dhe shtëpi.

Me çka ka kryer veprën penale Detyrimi nga neni 340 par.2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë