I dëmtuari thotë se me të akuzuarin e parë ishin shokë dhe se nuk e kishte besuar se ai do ta rrëmbente dhe keqtrajtonte

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- I dëmtuari Y.K. ka deklaruar se me të akuzuarin e parë, A.H. kishin qenë shokë të ngushtë, ndërsa shtoi se asnjëherë nuk do të besonte se i njëjti do ta rrëmbente dhe sulmonte për shkak të një gënjeshtre të një femre.

Këtë deklarim i dëmtuari-dëshmitari Y.K. e ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor ndaj A.H. dhe A.M. të akuzuar për veprën penale të rrëmbimit, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues konstatoi se të pranishëm në seancë ishin prokurori Sahit Tmava, i akuzuari A.H. me mbrojtësit Shyqyri Syla dhe Rifat Bllata, i akuzuari i dytë A.M. me mbrojtësin e tij Arlind Jupollin, i dëmtuari-dëshmitari Y.K si dhe dëshmitarët M.Sh. dhe R.M.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Tmava, se çfarë kishte ndodhur në ditën kritike i dëmtuari-dëshmitari K. deklaroi se në mbrëmjen e asaj nate kishte shkuar në lokalin e të akuzuarit të parë, pasi i njëjti e kishte thirrur, ndërsa nga aty i njëjti i kishte thënë të shkojnë në motelin “Villa Hill”.

“Kur jena shku në motel ma ka pagu një dhomë tjetër të ndame, e pas disa minutave më ka thirr hajde në dhomë se i kemi do shoqe, po kur jom shku në dhomë e kom pa që nuk është situata në rregull edhe kur kom tentu me thirr një shok në telefon Artani ma ka marrë telefonin edhe ma boni më ke pre në besë”, deklaroi i dëmtuari-dëshmitari K.

Ai shtoi se pas këtyre momenteve kishte mbërritur edhe i akuzuari i dytë, A.M, i cili e kishte goditur katër herë në pjesën e këmbëve me shkop.

K. deklaroi se i akuzuari i dytë kishte qëndruar vetëm rreth 20 minuta në dhomë pasi që ishte larguar kur kishte kuptuar se i akuzuari H. po e sulmonte të njëjtin për shkak të një femre.

“Unë e kom ndëgju A. kur ka fol në telefon me A, i ka thon hajde në këtë vend se e gjeta edhe spiunin e dytë që na i ka vendosë çipat në telefona”, shtoi i dëmtuari-dëshmitari.

Ai shtoi se i akuzuari H. kishte dyshuar në të dëmtuarin se i njëjti i ka vendosur çipa në telefona, por i njëjti mohoi të ketë bërë diçka të tillë.

Gjatë kohës sa ishte sulmuar, i dëmtuari K. deklaroi se ishte incizuar me telefonin e tij nga i akuzuari i parë, duke e detyruar të pohojë se kishte pasur marrëdhënie intime me të dashurën e të akuzuarit H.

“Unë e kom mohu një gjë të tillë se nuk është e vërtetë, por për shkak të dhunës jom detyru me pranu, veç për më shpëtu”, tha i dëmtuari.

Ai shtoi se të nesërmen në mesditë kishte ardhur pronari i motelit pasi kishte dëgjuar zhurmën e dhunës së ushtruar nga i akuzuari i parë ndaj të dëmtuarit dhe i kishte detyruar të dalin jashtë.

Tutje ai deklaroi se kishte shkuar në spital ku kishte qëndruar disa orë, e pas kësaj e kishte thirrur të akuzuarin H. që të takoheshin në hotelin “Ura e Gurit” ku edhe ishte arrestuar i njëjti, pasi që i dëmtuari K. e ka njoftuar policinë dhe ua ka dorëzuar video incizimet e rrahjes.

I akuzuari K. deklaroi se kishte qenë përdorues i drogës, ndërsa natën kritike para sulmit në motel kishin konsumuar alkool dhe kokainë së bashku me të akuzuarin e parë dhe dy persona të tjerë.

“Unë po mendoj që dikush e ka shty A. për me bo kto, qëllimi mendoj që u kon për përfitim pasuror, se e kom ndëgju duke fol në telefon me dikënd për me më qu në Shqipëri edhe me më marrë para”, deklaroi i dëmtuari.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit A.H., avokatit Shyqyri Syla, se sa kishte zgjatur rrahja, i dëmtuari deklaroi se përmbi dhjetë orë kishin qëndruar në dhomën e motelit, ndërsa rrahja kishte zgjatur rreth pesë orë, derisa kishte ardhur pronari i motelit.

“Shyqyr Zotit nuk kom pas armë me vetë se jom i sigurt se e kisha vra”, deklaroi i dëmtuari-dëshmitari K.

I dëmtuari deklaroi se kur kishte shkuar në Stacionin Policor në Vushtrri hetuesja kishte qenë e njohur e të akuzuarit të parë dhe ia kishte fshirë incizimin në telefon, që i dëmtuari ia kishte dorëzuar si provë, ndërsa shtoi se edhe një zyrtar tjetër policor po ashtu i njohur i të akuzuarit e kishte lutur që të mos e denoncojë të akuzuarin H.

Tutje, me marrjen në pyetje të të dëmtuarit-dëshmitarit Y.K., vijoi mbrojtja e të akuzuarit të dytë, A.M.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Jupolli nëse e kishte njohur më përpara të mbrojturin e tij, i dëmtuari deklaroi se të njëjtin e kishte njohur vetëm si figurë pasi kishte punuar sigurim në lokalin e të akuzuarit H., ndërsa tha se me të njëjtin nuk kishte pasur asnjëherë probleme.

Ai shtoi se i akuzuari M. kishte qëndruar rreth 15-20 minuta brenda, ndërsa ishte larguar në momentin kur i ka kuptuar arsyet e ulëta të sulmit.

Për shkak të angazhimeve të anëtarëve të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor u shty për datën 15 qershor 2022, ku priten të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga prokuroria.

Ndërsa, mbrojtësit e dy të akuzuarve i propozuan gjykatës që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të mbrojturve të tyre për shkak të pushimit të arsyeve ligjore për caktimin e kësaj mase.

Të njëjtët i propozuan gjykatës që ndaj të mbrojturve të tyre të caktojë një ndër masat alternative të sigurimit të të pandehurve në procedurë, të parapara me nenin 173 të KPPK-së.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë me aktakuzën e 14 marsit 2022 i ngarkon të akuzuarit A.H dhe A.M., sepse më 14 dhjetor 2021, në fshatin Stanovc, saktësisht në ambientet e motelit “Hill”, sipas marrëveshjes paraprake në mes veti e mashtrojnë te dëmtuarin Y.K, duke e dërguar në lokacionin si më lartë dhe duke ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj tij.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri A. e fton të dëmtuarin për të shkuar ne motelin e lartcekur, hyjnë në dhomën nr.9, e kanos me fjalët se “kam me ta nxjerr shpirtin derisa të pranosh se ke pasur marrëdhënie seksuale me …”. Më pas vjen edhe i akuzuari A. ku të dy fillojnë të ushtrojnë dhunë psikike dhe fizike duke e rrahur te dëmtuarin, ashtu që i pandehuri A. me shkop druri e godet ne pjesën e poshtme te këmbëve, e me pas që të dy e godasin me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, me qëllim të detyrimit që i dëmtuari Y. ta pranoj një fakt që fare nuk ka ndodhur, kinse ka pasur marrëdhënie seksuale me dashnoren e të pandehurit A.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të pandehurit kanë vazhdojnë duke e maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Y., e më pas i pandehuri A. e kanos me fjalët “kam me të dërguar në Shqipëri o qen se më ke pre në besë deri sa te mi sjellësh 50.000€”.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi” nga neni 191 par 2 pika 2.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë