I dëmtuari thotë se i akuzuari ia uzurpoi shtëpinë dhe lokalet që ia la babai trashëgim

Raporton: Doruntina MEHMETI

Vushtrri – I dëmtuari F.I. ka deklaruar se shtëpinë dhe lokalet që ia ka lënë në trashëgim babai i tij janë uzurpuar paligjshëm nga i akuzuari Sh.Ç., që nga viti 2013.

Ai këtë deklarim e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, në gjykimin për uzurpim të paligjshëm të pronës ndaj të akuzuarit Sh.Ç, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i rastit Agron Maxhuni konstatoi se të pranishëm në seancën e sotme ishin prokurorja Danijela Batkoviq, i akuzuari Sh.Ç me mbrojtësin e tij, avokatin Ramiz Suka, i dëmtuari F.I me përfaqësuesin e tij ligjor, avokatin Ruzhdi Maloku, si dhe dëshmitari I.Z.

Ndërsa, nuk ishte i pranishëm i dëmtuari i dytë, B.I, me arsyetimin se jeton jashtë Kosovës.

Pasi që prokuroria e kishte propozuar të dëmtuarin F.I. si dëshmitar, procedura vijoi me dëgjimin e të njëjtit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Batkoviq se për çfarë paluajtshmërie bëhet fjalë në këtë rast, i dëmtuari-dëshmitari I. deklaroi se bëhet fjalë për shtëpi dhe lokale, pronë e tij, por të uzurpuara nga i akuzuari Ç.

Ai shtoi se është pronar i asaj paluajtshmërie, përfshirë shtëpinë dhe lokalet, pasi të njëjtat i ka trashëguar nga i ati, ndërsa tha se prona kishte qenë në emër të vëllaut të tij, B.I.

“Ibish Zeka më ka thirr në telefon, ai u kon tu banu në shtëpi teme pa pagesë, mandej e ka lëshu shtëpinë, kur më ka thirr në telefon në vitin 2013 më ka thanë eja sa më shpejtë në Kosovë se ta ka nxon shtëpinë i akuzuari me dy kerre në oborr”, deklaroi i dëmtuari I.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Batkoviq, nëse kishte pasur ndonjë marrëveshje me të akuzuarin, që i njëjti ta shfrytëzojë pronën, i dëmtuari I. deklaroi se pasi ia ka uzurpuar lokalet, të akuzuarit Ç., i ka thënë t’i përdorë, por kur të kërkojë që t’ia lirojë, këtë ta bëjë pa problem.

Ndërsa shtoi se përpos kësaj, për shtëpinë nuk kishte pasur asnjë marrëveshje.

“Disa herë i kam kërkuar që të ma lirojë pronën, por i akuzuari as që ka dëgjuar fare për atë punë, me arsyetimin se e ka blerë pronën nga babai im, gjë që nuk është e vërtetë”, shtoi tutje i dëmtuari-dëshmitari I.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të tij, avokatit Ruzhdi Mulaku, nëse i dëmtuari I. në vitin 2011 kishte lidhur kontratë qiraje për pronat me dikë tjetër, i dëmtuari I. pohoi një gjë të tillë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Ç., avokati Ramiz Suka e pyeti të dëmtuarin I. se si ka reaguar policia në rastet kur e ka denoncuar të akuzuarin në polici.

I dëmtuari-dëshmitari I. deklaroi se të njëjtët i kanë thënë se duhet të presin vendimin e gjykatës për të ndërmarrë veprime lidhur me këtë.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Suka, se a ka hequr dorë i dëmtuari I. nga trashëgimia duke e lidhur një kontratë për shkëputjen e bashkësisë familjare në vitin 1983, i dëmtuari I. deklaroi se kjo është e vërtetë por që prapë pas një kohe babai i tij ia kishte vendosur pasurinë e caktuar në emër të tij.

Avokati Suka e pyeti të dëmtuarin I. se a është e vërtetë që Sh. i ka thënë se “nëse babai dhe motra juaj që kanë qenë prezentë kur unë e kam blerë shtëpinë, konstatojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, atëherë unë ta liroj shtëpinë menjëherë”.

Pas kësaj avokati mbrojtës dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, në mënyrë të vazhdueshme kanë marrë fjalën pa lejen e gjykatës, për çka gjyqtari Maxhuni u tërhoqi vërejtje.

Tutje, me marrjen në pyetje të të dëmtuarit I. vijoi gjyqtari i rastit Agron Maxhuni.

Duke u përgjigjur në pyetjet e tij, nëse e njeh një person me emrin Sh.Sh, i dëmtuari I. deklaroi se kur kishte ardhur në Drejtorinë e Kadastrit në Vushtrri i kishin thënë se prona kontestuese nuk është në emër të vëllaut tënd por është në emër të Sh.Sh.

Ai shtoi se kishte shkuar nga vendi ku jeton në Suedi deri në Novi Sad për të gjetur djalin e Sh.Sh, pasi ky i fundit kishte ndërruar jetë, për të sqaruar këtë gjë.

I dëmtuari I, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatës deklaroi se në vitin 1992 kishte shkuar në Suedi dhe atëherë në shtëpi i kishte lënë babain dhe motrën, ndërsa shtoi se pas luftës i akuzuari ishte vendosur në pronat e tyre kundërligjshëm.

Ai përsëriti se me të njëjtin nuk kishte bërë asnjë marrëveshje për t’ia dhënë në shfrytëzim shtëpinë.

Për shkak të angazhimeve të gjyqtarit Maxhuni me një seancë tjetër gjyqësore, shqyrtimi i sotëm gjyqësor u shty për datën 17 gusht 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 6 nëntor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Shkëlzen Çibukçiu sepse nga data e pa caktuar e vitit 2013 e gjerë më tani, në Vushtrri ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të personit tjetër dhe atë dy shtëpi me tri lokale që gjenden në adresën e lartcekur.

Sipas aktakuzës, paluajtshëmritë janë pronë e të dëmtarëve B.I. me qëndrim në Belgjikë dhe F.I. me qëndrim në Suedi, sipas listës katastrale me nr. 21971 në sipërfaqe prej 0.3,99 ha.

Tutje thuhet se edhe pse i dëmtuari F.I. kishte kërkuar disa herë nga i pandehuri që t’ia lironte pronën e tyre, i njëjti gjerë më tani nuk e ka liruar.

Me këtë ka kryer veprën penale Uzurpim i paligjshëm i pronës se palujajtshme nga neni 332 par.1 te KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë