I dëmtuari tërhiqet nga ndjekja penale, shpallet aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për kanosje

unnamed
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Dhjetor 5, 2018

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, të mërkurën, ka marrë aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për kanosje, Edmond Qerimi.

I dëmtuari Vesel Rexha, edhe pse në shqyrtim fillestar i ishte bashkëngjitur ndjekjes penale, në seancën e së mërkurës ka propozuar që ndaj të akuzuarit të merret aktgjykim refuzues, sepse sipas tij, me të nuk kishin pasur më ndonjë mosmarrëveshje tjetër.

Gjykatësja e rastit, Hysnije Gashi, pas propozimit të të dëmtuarit, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit, Edmond Qerimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Edmond Qerimi, akuzohet se më 17 korrik 2017, rreth orës 17:00, në Shtime, qëllim të frikësimit, me fjalë, vepra dhe gjeste se do ta privojë nga jeta, ka kanosur të dëmtuarin Vesel Rexha.

Sipas aktakuzës, deri tek kanosja ka ardhur për shkak të një mosmarrëveshje për pronën, të cilën e kishte blerë vëllai i të dëmtuarit afër pronës së të akuzuarit.

Në aktakuzë thuhet se Qerimi fillimisht e kishte thirrur në telefon të dëmtuarin duke i thënë “Nëse afrohesh në këtë pronë ka me ta nxjerr gushën”, e më pas kur e takon e kërcënon me fjalët “Ka me ta ba sikur doktor Vezirit qe ja kanë ba”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe pasiguri.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185 par 2 të KPRK-së.