I dëmtuari: Artan Nimani më garantoi për 2100 euro që ia dhashë Rrahim Hashimit për rregullimin e vizës

Rasti Rrahim Hashimi - 9.12.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Dhjetor 9, 2019

Prishtinë – I dëmtuari Shaq Ismajli, ka deklaruar se rektori i Universitetit të Gjakovës, Artan Nimani, kishte qenë si garantues për paratë që ai i kishte paguar në llogari të Rrahim Hashimit për rregullimin e vizës së djalit të tij.

Një deklarim të tillë, ai e ka dhënë të hënën, gjatë vazhdimit të dhënies së dëshmisë së tij, në rastin ku Rrahim Hashimi po akuzohet për veprën penale të mashtrimit në vazhdimësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rrahim Hashimi akuzohet nga PSRK-ja se nga 2009 e deri në mars 2017, në vazhdimësi ka mashtruar qytetarët, ku përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë ka shfrytëzuar miqësinë me atasheun e Ambasadës së Hungarisë, Tamas Gergley, duke aplikuar për viza në emër të personave të ndryshëm, duke i paraqitur si punëtor të “City Group”, ku Shaq Ismajlit ia kishte marrë 2100 euro dhe Skënder Sylës 1500 euro, por nuk ua kishte rregulluar vizën. Ndërsa, dy anëtarëve të bordit të OSHP-së, ua kishte rregulluar ato pa qenë personalisht asnjëherë më ambasadë.

Në pyetjen e gjykatëses Fatime Dermaku, i dëmtuari Ismajli ka thënë se të akuzuarit Hashimi për pajisjen me vizë hungareze ia kishte paguar fillimisht 2000 euro, e më vonë edhe 100 euro për rregullimin e dokumentacionit.

“Fillimisht ja kom dhon 2000 në zyrën e tij që gjenden në “Hotel Grand”, mandej më ka thonë edhe 100 për me rregullu dokumentet edhe ja kom dhon 100 euro.  Mu ma shumë më ka djeg kur ja kom dhon qato 100 euro për mi rregullu dokumentet se 2000 euro që ti kom dhon paraprakisht për vizë, kishe mem bo budallë aty se jom tu ta rregullu vizën”, ka deklaruar i dëmtuari.

Ai ka thënë se kishte kontaktuar me Artan Nimanin, për pajisjen me vizë dhe se ai kishte marrë përsipër që ta dërgonte të dëmtuarin tek i akuzuari Rrahim Hashimi.

“Interesimin për viza e kom shpreh unë, pasi që unë kom bisedu me tezakin tim se qysh me ja bo për me ja siguru djalit vizën, tezaki jem kur ka qenë në Gjermani ma ka jep numrin e Artanit. Unë këta dy si kom njoftë ma herët. Tezaki më ka thon ki mu taku me Artanin, e thirr para se mu nis pi Deçanit për Prishtinë edhe ai të kallxon se ku keni mu taku. Unë kom ardh prej Deçanit special për to në Prishtinë, masi paraprakisht kemi fol në telefon. Ndërsa, Artani e ka pas për obligim mem çu te Rrahimi”, ka thënë ai.

Më pas, i dëmtuari Ismajli ka sqaruar se në bisedë me tani të akuzuarin Hashimi, ky i fundit kishte premtuar se do t’ia rregullonte vizën djalit të të dëmtuarit, duke e regjistruar atë si punëtor në firmën e tij “City Group”.

I dëmtuari tha se kishte shitur veturën e tij dhe po të njëjtën ditë të akuzuarit Hashimi ia kishte dorëzuar paratë prej 2100 euro.

“Unë kom ardh me Artanin edhe djalin tem në zyre te Rrahimi. Të kom pyt qysh osht puna e vizës. Rrahimi ma shpjegoi qysh ka me rregullu vizën edhe më tha ta boj djalin agjent, nuk e di qysh më tha veç diqysh marrëdhënie pune se o tu punu djali jam te ky. Unë i thash se për momentin nuk kom pare, më duhet me hek kerrin, i thash nëse të hyn kerri në punë unë ta jap kerrin, Rrahimi më tha sem hynë në punë kerri se kom shumë kerre, edhe mandej e kom marr rentin edhe me rent kom ardh ja kom pru paret”, tha ai.

Ai shtoi se Artan Nimani asnjëherë nuk kishte qenë prezent kur ai kishte diskutuar çështje që ndërlidheshin me pagesën e vizës, por kishte garantuar për të akuzuarin Hashimi, se paratë do t’i kthente ai.

“Si kemi hy në bisedë, si tha Rrahimi ta boj djalin agjent, Artani ka dal prej zyrës, edhe nuk ka qenë prezent kur unë ja kom ofru kerrin e as të dytën herë kur ja kom çu paret nuk ka qenë prezent, se qeshtu i kanë këta dallaveret që mos mu marrë vesh. Artani më ka garantu më ka thonë shka t’del diçka problem përgjigjem unë, paret t’i kthej unë. Ai ma ka bo kur të del prej zyrës lajmërohu edhe te unë, se afër i kanë pas zyrat këta”, ka shtuar i dëmtuari.

Ndërsa, në pyetjen e të akuzuarit Hashimi, i dëmtuari tha se kishte shkuar në ambasadën hungareze, pasi atij nuk i ishin kthyer paratë, e as pasaporta nga Artan Nimani.

“Fillimisht unë shkova te Artani po s’ma qelke telefonin, më thojke po t’i jepi 1000 euro po mandej s’ma qelke telefonin, unë visha prej Deçanit këtu, edhe mu ka kujtu përkthyesja e atashesë të Hungarisë për të cilën Artani më thojke foli masdite me to. Unë u detyrova, meqë i kisha dhon paret më mbeti vetëm alternativa me shku në ambasadë, pasaporta nuk ish kërku”, ka thënë i dëmtuari.

Pasi që kishte qenë në ambasadë, i dëmtuari ka thënë se kishte shkuar tek zyrat e kompanisë së të akuzuarit, për të kërkuar pasaportën, mirëpo sipas tij, ajo kishte qenë e mbyllur pasi që Hashimi  gjendej në paraburgim.

Lidhur me këtë, i akuzuari Hashimi ka thënë se me rastin e arrestimit të tij, i janë marrë edhe incizimet e video kamerave të zyrës së tij, e në të cilin incizim i dëmtuari nuk është fare prezent, duke shtuar se të njëjtat do t’i paraqes gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

Ndërsa, deklarim të kundërt pati i dëmtuari Skender Syla, i cili tha se nuk e ndien veten të mashtruar nga i akuzuar Rrahim Hashimi.

Ai gjatë ballafaqimit nga prokurorja Jehona Grantolli me deklaratën e tij të dhënë në polici më 30 gusht 2017, ka thënë se nuk i kujtohej deklarata, por vetëm se e din që 1500 euro nuk ia kishte dhëne Hashimit për të marrë vizën, por për rregullimin e procedurave për aplikim për vizë.

“Në deklaratën e dhënë në polici ju keni deklaruar pos të tjerash se “Rrahim Hashimi e njoh përmes Jusuf Veliut dhe i njëjti më ka premtuar se do të ma rregullojë një vizë shengen në ambasadën hungareze në shumën prej 1500 euro. A është e vërtetë kjo?”, ka pyetur prokurorja

Dëshmitari Syla ka thënë se nuk e ndien veten të dëmtuar me arsyetimin se i akuzuari Hashimi ia kishte kthyer paratë atij, pasi që ai kishte dështuar ta merrte vizën hungareze.

“Gjatë bisedës me Rrahimin i njëjti më ka thon se duhet me pagu për sigurim, me gjithë procedurat, dhe për atë arsye ja kam dorëzu 1500 euro Rrahimit. Ajo më shumë ka qenë ide e imja se sa e Rrahimit, por ka qenë bisedë  e jona e përbashkët, mirëpo pas një kohe kjo bisedë na dështoi, viza dështoi. Rrahimi mu mi ka kthy mjetet, mi ka kthy të gjitha dokumentacionet, më ka kërku falje. Edhe unë për veten nuk mbetem i dëmtuar”, ka thënë i dëmtuari

Syla ka thënë se në kohën kritike viza i duhej për të shkuar në Holandë, e që më pastaj kishte shkuar në mënyrë ilegale dhe kishte qëndruar afro një vit e gjysmë.

Ai ka pohuar në pyetjet e të akuzuarit Hashimi se përmes kompanisë së tij, i dëmtuari si përfaqësues i kompanisë për verat “De Rada” ka dashur që të bëj eksportimin e verës tek vëllai i tij në Holandë.

Gjithashtu, Syla ka thënë se është e vërtetë se po që se do të arrihej marrëveshje me vëllain e tij, i akuzuari do ta angazhonte atë si punëtor dhe do t’ia rregullonte dokumentacionin për lëvizjen e lirë dhe se në momentin e dështimit, i ishte kthyer dokumentacioni i vëllait të tij dhe paratë

Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Isuf Veliu, i cili gjithashtu tha se nuk i kujtohej dëshmia e dhënë në polici më 20 korrik 2017, pasi që kishte kaluar një kohë e gjatë.

Dëshmitari Veliu ka thënë se të akuzuarin e njeh si bashkëluftëtar dhe nuk ka raporte familjare me të.

Ndërsa, kur gjykatësja ka pyetur të akuzuarin se a kishte ndonjë pyetje për dëshmitarin, i njëjti ka është përgjigjur “Veç me pyet  a je mirë me shëndet se ka pas një operacion?”.

Në fund të seancës, prokurorja Grantolli ka kërkuar nga gjykata që t’i jep kohë në mënyrë që me një parashtresë t’ia drejtojë edhe emrat e dëshmitarëve tjerë, të cilët janë relevant për t’u dëgjuar, pasi që sipas saj, lënda është voluminoze dhe nuk mundet të njëjtit saktë t’i precizojë.

Seanca e radhës  do të mbahet me 18 dhjetor nga orën 13:10

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 2 maj 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Emin Beqiri dhe biznesmenit Rrahim Hashimi.

Kjo prokurori këtë aktakuzë e kishte ngritur në lëndën penale të shenjëstruar si rasti “Sekseri”.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 qershor 2018, me aktvendim e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Rrahim Hashimi dhe Emin Beqiri.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi palët kishin ushtruar ankesë, ashtu që Gjykata e Apelit kishte vendosur që procedura penale ndaj të akuzuarit Rrahim Hashimi të pushohej për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”, ndërsa të vazhdohej vetëm për veprën penale “mashtrimi”.

Po ashtu, Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2018 kishte  liruar përfundimisht nga akuza për korrupsion ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj theksonte se ka shqyrtuar me kujdes aktakuzën e PSRK-së, aktvendimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtësit të pandehurit Beqiri, si dhe shkresat e lëndës, ashtu që përkitazi me këtë të pandehur, kjo gjykatë vlerëson se nuk ka prova se i njëjti ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Mirëpo, në prill të vitit 2019, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme ka konstatuar se ka pasur shkelje në favor të ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, me rastin e lirimit të tij nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe vepra tjera penale.

Nëpërmjet një komunikate për media, Supremja ka thënë se pas kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit ndaj dy vendimeve të shkallës së parë dhe të dytë që kishin liruar ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, ishin konstatuar shkelje në favor të të pandehurit.

“Pas shkrimeve në media, të publikuara sot, sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme për ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike, në Policinë e Kosovës, E.B., i akuzuar për; keqpërdorim të pozitës zyrtare; pengim i të provuarit dhe moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre, njoftojmë opinionin publik, se bazuar në Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë, të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe të Gjykatës së Apelit, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, ka konstatuar shkeljen në favor të të pandehurit. Vendimi për këtë rast është duke u punuar, dhe në momentin që iu dërgohet palëve në procedurë, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, mediat mund të kenë qasje në të”, thuhet në komunikatë.

Sipas aktakuzës, Emin Beqiri në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Krime Ekonomike në Prishtinë, gjatë muajit dhjetor 2016, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe personin tjetër, përmes drejtorit të “City Group”, të akuzuarit Rrahim Hashimi, kishte kërkuar 100.000 euro nga të dëmtuarit Valmir Hajrullahu dhe Freskim Buqaj, për të cilët drejtoria kishte filluar një hetim në drejtim të veprës penale të mashtrimit.

Beqiri të akuzuarit Hashimi, sipas aktakuzës, i kishte dhënë informata që konsiderohen si fshehtësi zyrtare, ku ky i fundit iu kishte treguar të dëmtuarve se kontrolli-bastisja e lokaleve dhe shtëpive të tyre nuk do të bëhet sipas urdhëresës së gjykatës dhe i njëjti ishte përpjekur që t’i bind të dëmtuarit që t’i jepnin paratë e kërkuara me qëllim që procedura kundër tyre të mbyllet.

Mirëpo, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Hashimi nuk kishte arritur t’i marrë paratë e kërkuara dhe ndaj të dëmtuarve Hajrullahu dhe Buqaj kishte filluar procedura, ndërsa pas kësaj prindërit e të dëmtuarve Rexhet Hajrullahu dhe Qazim Buqaj ia kishin dhënë të akuzuarit Hashimi 50.000 euro me qëllim që përmes të akuzuarit Beqiri t’ua mundësoi hapjen e lokaleve e pastaj t’i jepnin edhe 50.000 tjera që të përmbyllej kjo procedurë.

Kështu, në dhjetor 2016, Rexhep Hajrullahu ia kishte dhënë të akuzuarit Hashimi 16.000 euro, pastaj edhe 9.000 euro tjera, ndërsa i dëmtuari Qazim Buqaj 25.000 euro.

Prokuroria Beqirin e ngarkonte edhe me veprën penale “pengimi i të provuarit”, pasi i njëjti gjatë muajve janar-mars 2017, përkundër urdhëresës së gjykatës për ekzaminimin e aparatit telefonik “Iphone6”, të të dëmtuarit Valmir Hajrullahu, nuk e kishte dërguar në laborator, ndërsa i dëmtuari e kishte vërejtur se bisedat dhe fotot e incizuara i ishin fshirë nga telefoni.

Po ashtu, Beqiri akuzohej edhe për veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, pasi i njëjti edhe pse kishte pasur njohuri se i akuzuari Hashimi kishte marrë para në emër të tij, nuk e kishte lajmëruar veprën penale.

Ndërkaq, Rrahim Hashimi, akuzohet se gjatë muajit dhjetor 2016 nga familjarët e të dëmtuarve Hajrullahu dhe Buqaj kishte marrë shumën prej 50.000 euro dhe kishte kërkuar edhe 50.000 tjera, me qëllim që procedura ndaj tyre të përshpejtohet, dhe pastaj edhe kishte ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, duke bërë që i akuzuari Beqiri të veprojë në kundërshtim me ligjin.

I njëjti akuzohet se gjatë viteve 2009-2017, kishte mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes fakteve të rreme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kishte shfrytëzuar miqësinë me atasheun e Ambasadës së Hungarisë, Tamas Gergely, duke aplikuar për viza në emër të personave të ndryshëm, duke i paraqitur si punëtor të “City Group”. /BetimipërDrejtësi