I caktohet një muaj paraburgim, dyshohet se rrahu djalin dhe gruan me rrip

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë – I është caktuar një muaj paraburgim, B.B, i cili dyshohet se kishte rrahur djalin e tij dhe bashkëshorten.

Masa e paraburgimit është caktuar të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega Podujevë.

Këtë masë ndaj të dyshuarit e ka caktuar gjykatësi i procedurës paraprake, Minir Hoti, i cili ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e të njëjtës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesa e prokurorisë mbanë emrin dhe firmën e prokurores Mimoza Shala, të cilën në seancën e sotme paraprake e ka përfaqësuar prokurori Arianit Salihu.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka kërkuar që të caktohet masa në fjalë bazuar në nenet 185 dhe 187 par.1 nënpar. 1.2 dhe 1.3 të KPPRK-së.

Prokurori Arianit Salihu, tha se Prokuroria vlerëson se me asnjë masë tjetër alternative, nuk do të sigurohet prania e të pandehurit në procedurë.

Kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit e kundërshtoi mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Xhevat Rama.

“Nuk ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit tim, po që se do të caktohet kjo masë vetëm sa do t’i përkeqësoj marrëdhëniet bashkëshortore”, tha mes tjerash avokati Rama.

Edhe i dyshuari tha se e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Ndryshe, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se me datën 30.11.2021, rreth orës 23:45, por edhe më parë në vazhdimësi, në shtëpinë, i pandehuri B.B, pas një mosmarrëveshje paraprake brenda familjes, fillon t’i bërtasë djalit të tij dhe më pas i dërgon në një dhomë të dëmtuarën bashkëshorten dhe djalin. Gjithnjë sipas kërkesës, i dyshuari kishte filluar t’i godasë disa herë me rrip pantallonash në pjesë të ndryshme të trupit, e pastaj të njëjtat veprime i ka vazhduar edhe në pjesë të kuzhinës, duke i sulmuar në prezencë të fëmijëve të tjerë të mitur, derisa e dëmtuara shfrytëzon kohën kur anëtarët e familjes shkojnë për të fjetur, del dhe niset në këmbë për të raportuar rastin në polici, në këtë mënyrë tek e dëmtuara ka shkaktuar ndenjën e frikës dhe rrezikshmërisë personale.

Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje” nga neni 248 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë dhe me burgim deri në tri vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë