I bashkakuzuari: Arrestojeni Xhevat Gashin, kjo ishte biseda ime me policinë

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë- Xhevat Gashi edhe pse i pa arritshëm për gjykatën, emri i tij u shqiptua shumë herë nga ana e të pandehurit Abedin Syla, që të dy të akuzuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” në bashkëkryerje. Ky i fundit tha se si ish-drejtor i shoqatës humanitare “Shpëto jetë”, ishte kontaktuar nga ana e policisë për t’u pyetur nëse Xhevat Gashi, menaxheri i së njëjtës shoqatë kishte autorizim që të mblidhte shuma të parave.

“Merreni dhe arrestojeni”, janë këto fjalë që i akuzuari u deklarua se i kishte thënë policisë gjatë asaj bisede telefonike.

Në pyetjen e prokurores, Besa Limani, i njëjti nuk la pa përmendur edhe mundësinë e falsifikimit të dokumenteve nga ana e Gashit, dokumente këto përcjellëse të shëndetit të personit, përmes së cilave, shoqata e dëshmonte aktivitetin humanitar, për fëmijën e Habib Nuredinit, Gëzimit.

Syla shtoi se arsyeja se pse i kishte thënë kështu policisë kishte të bënte me rastin e Gëzim Nuredinit, për të cilin kishin filluar që të mblidhnin mjete për ta ndihmuar që të shërohet nga sëmundja e epilepsisë, aktivitet ky, i cili sipas tij kishte përfunduar me dorëzimin e të hollave tek i ati i Gëzimit, Habib Nuredini.

Përgjigjen që e kërkonte me ngulm gjykata kishte të bënte me destinimin e parave të mbledhura nga shoqata për Gëzim Nuredinin, çështje kjo që u diskutua mjaftë shumë nga palët në procedurë, e që sipas aktakuzës nga shuma totale e mbledhur prej 15.185.76 eurosh, të dëmtuarit i janë dorëzuar vetëm 4.200 euro.

Syla lidhur me këto pretendime të prokurorisë shtoi se përveç 4.200 eurove, të atit të Gëzimit i janë dorëzuar edhe 3000 euro në kesh nga ana Bekim Hamitit dhe vëllait të tij Bashkimit, pas një marrëveshje me të njëjtin.

Ai shtoi se kjo marrëveshje kishte të bënte me nënshkrimin e një fature në vlerë prej 3.000 eurosh, si dëshmi e dorëzimit të parave, e ky dorëzim mos të bëhet  menjëherë, por pas një kohe.

“Pas kësaj marrëveshje Nuredini pranoi ta nënshkruaj faturën, marrëveshje të cilën e kishim respektuar edhe ne, duke ia dorëzuar këto 3.000 euro”, tha Syla në pyetjen e mbrojtësit të Bekim Hamitit, avokatit Avni Ibrahimi.

Gjykatësi Faik Hoxha, kryetar i trupit gjykues për këtë çështje penale kërkoi nga Syla për t’u deklaruar për shumën e mbetur të paarsyetuar në vlerë prej 7.985.76, shumë kjo e nxjerrë pas zbritjes së shumës prej 7200 euro të dorëzuar, nga totali i 15.185,76 eurove, sa është e cekur edhe në aktakuzë.

Lidhur me këto para, Syla shtoi se këto para kanë shkuar për shpenzime dhe mëditje të aktivistëve të shoqatës, dhe shton se kanë qenë të regjistruara edhe në librin e shpenzimeve, libër të cilën i njëjti deklaroi se nuk e posedon dhe se i njëjti mund të ketë ngelur në zyrën, ku edhe e kanë ushtruar aktivitetin e tyre si shoqatë.

Për fund i njëjti shtoi se nuk e di nëse mund të gjendet kjo libër, pasi zyra është mbyllur për mospagim të qirasë, ndërsa për bllokat e faturave të cilat nuk ekzistojnë si prova në shkresa të lëndës, Syla theksoi se është deklaruar edhe në polici se ato ishin vjedhur nga furgoni në një autolarje të Lipjanit, gjatë kohës kur taksisti i shoqatës nuk kishte qenë i pranishëm.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet për datën 10 nëntor 2016, duke filluar në ora 09:00.

Në aktakuzën e ngritur kundër Abedin Sylës, Bekim Hamitit dhe Xhavit Gashit, prokuroria pretendon se të njëjtit, duke e shfrytëzuar detyrën dhe në cilësi të personave zyrtarë në Organizatën jo Qeveritare “Shpëto Jetë” me seli në Lipjan kanë kaluar kompetencat e tyre duke shkelur të drejtat e personit tjetër.

Sipas prokurorisë gjatë periudhës 2010-2011, të akuzuarit e lartpërmendur në bashkëkryerje kanë keqpërdorur dokumentacionin mjekësor dhe autorizimin e të dëmtuarit Habib Nuredini dhe në emër të fëmijës së tij të sëmurë nga epilepsia Gëzim Nuredini, kanë kërkuar mjete nga qytetarët në vende të ndryshme të Kosovës dhe kanë realizuar të ardhura në shumë prej 15.185,76 eurosh, dhe prej gjithë kësaj shume të dëmtuarit i kanë dorëzuar vetëm 4200 euro.

Po ashtu në dispozitivin e aktakuzës, prokurorja Limani thekson se të akuzuarit i kanë ofruar të dëmtuarit Nuredini që të nënshkruaj një kontratë fiktive në vlerë prej 3000 euro gjoja se ka pranuar këtë shumë të të hollave me arsyetimin se faturat e shpenzimeve të Organizatës janë vjedhur në një autolarje në Lipjan.

Procesi gjyqësor vazhdon vetëm për dy të akuzuarit Abedin Syla dhe Bekim Hamiti, përderisa për të akuzuarin Xhavit Gashi është veçuar procedura penale, pasi i njëjti është jashtë shtetit dhe është i pa arritshëm për Gjykatën.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë