I autorizuari i paditurës kundërshton masën e përkoshmë për tokën e caktuar që 3 vite nga Gjykata

Raporton: Driton NOCAJ

Klinë- Ndalesa e caktuar nga Gjykata e Klinës që para 3 viteve që e paditura A.P. që e njëjta të mos e shesë pronën e saj, sot në Gjykatën e Klinës kjo masë është bërë objekt i kundërshtimeve mes palëve ndërgjyqëse.

Në seancën për vlerësimin e masës së përkohshme, i autorizuari i palës paditëse Sh.G, avokati Cenë Gashi ka kërkuar që kjo masë ende të mbetet në fuqi, ndërsa i autorizuari i të paditurës së dytë A.P, avokati Ardian Desku ka kërkuar që kjo ndalesë  të hiqet.

I autorizuar i të paditurës së dytë, avokati Desku e ka konsideruar jo të drejtë caktimin e masës së përkohshme pasiqë sipas tij, e paditura Pesic si pronare e tokës kontestuese asnjëherë nuk ia kishte shitur tokën paditëses Sh.G, siç e njëjta pretendon përmes padisë.

“Pra, këtu nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje, pronarja e tokës, nuk ka folur asnjëherë me Sh.G. dhe S.G. Nuk e ka autorizuar askënd që ta shes token e saj. Andaj edhe nuk ka asnjë obligim ndaj askujt.”, theksohet në kundërshtimin e avokatit Desku.

Sipas avokatit edhe sikur fjalët e paditëses për blerje ishin të vërteta, padia dhe propozimi për masë të përkohshme janë të pabazuara pasi sipas tij këto deklarime të paditëses konsiderohet negociata të cilat sipas ligjit nuk detyrojnë palët për të lidhur kontratë.

Tutje, sipas tij, nuk ishte plotësuar kushti i parë për caktimin e masës së përkohshme, pasi sipas avokatit padia nuk ka farë kërkesë pasi që nuk ekziston marrëveshje për shitblerje mes palëve ndërgjyqësore dhe nuk ishte paguar çmimi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, avokati Cenë Gashi mbeti pranë deklarimeve të mëhershme duke potencuar faktin se e paditura e dytë P. në procedurën e trashëgimisë kishte bërë falsifikim duke eliminuar edhe trashëgimtarët tjerë ligjor të cilën kishin të drejta pronësore.

Kjo rrethanë sipas avokatit Cena e bënë të besueshme faktin se ekziston rrezik i pashmangshëm që e paditura e dytë do të shet pronën kontestuese.

“Kështu që po të heqet masa e përkohshme ekziton rreziku i pashmangshëm se e njëjta do të shet edhe pronën lëndore e cila ëshë objekt i kërkesëpadisë”, tha avokati Gashi.

Ai po ashtu kërkoi nga gjykatësi Jashar Gashi që të kërkohet dokumentacioni nga noteri Bedri Godanci me qëllim të vërtetimit të fakteve të tilla. Ai po ashtu dorëzoi edhe precizimin e kërkesëpadisë në kuptimin subjektiv duke përfshirë edhe trashëgimtarët e tjerë.

Në anën tjetër, avokati Desku shtoi se çështja e trashëgimtarëve tjerë nuk ishte objekt i kërkesëpadisë së paditëses. Sipas tij objekti i këtij kontesti ishte nëse Sh.G. e kishte blerë apo jo patundshmërinë nga e paditura e dytë P.

Sipas Deskut nëse ka trashëgimtarë të tjerë atëherë ata kanë të drejtë të realizojnë të drejtat e tyre trashëgimore mirëpo këtë sipas avokatit nuk mund të bëjë paditësja Sh.G.

Ndryshe, gjykatësi Jashar Gashi i tërhoqi vërejtjen palëve gjatë seancës pasi sipas tij ishin deklaruar lidhur me themelsinë e padisë dhe udhëzoi që të kufizohen në kundërshtimet nëse masa e përkohshme duhet të mbetet në fuqi apo jo.

Gjykatësi Gashi u dha mundësi palëve që brenda tri ditësh të paraqesin me shkrim pretendimet e tyre për masën e përkohshme.

Ndryshe, sipas padisë të ngritur më 2019 paditësja Sh.G. pretendon se në janar të vitit 2019 ka realizuar një marrëveshje për shitblerje të ngastrës kadastrale në sipërfaqe prej 8060 në fshatin Dresnik me të paditurin e parë M.P dhe me të paditurën e dytë A.P. në shumë prej 36,270 euro.

Sipas padisë prona e paditëses gjendet në mëgje në pronë kontestuese dhe paditësja ka marrë informacione se të paditurit kanë vendosur t’ia tjetërsojnë parcelën kontestuese një personi tjetër edhe pse ende nuk e kishin zgjidhur marrëveshjen e tyre. Si rrjedhojë e kësaj, paditësja pretendon të drejtën e parablerjes në pronën e të paditurës A.P ./BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë