I akuzuari Zoran Spasiq nuk pranon të gjykohet pa mbrojtës

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë  – Ish-këshilltari politik, Zoran Spasiq, nuk ka pranuar që të vazhdoj seancën gjyqësore pa angazhuar mbrojtësin e tij.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, kishte qenë e paraparë që të filloj shqyrtimi i provave, mirëpo i akuzuari Spasiq, ka kërkuar të drejtën e tij që të mbrohet me avokat mbrojtës.

Gjykatësja e çështjes, Albina Shabani-Ramajt dhe prokurori Ibrahim Berisha, njoftuan se i akuzuari ka qenë i njoftuar me këtë të drejtë në seancat e mëhershme të shqyrtimit fillestar dhe të dytë, megjithatë gjykata ka aprovuar kërkesën e tij. Pas autorizimit të avokatit mbrojtës nga i pandehuri Spasiq, shqyrtimi për këtë çështje do të vazhdoj më 23 mars 2016.

Sipas aktakuzës, Spasiq akuzohet për veprën penale mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i cili në formularin e datës 5 shkurt 2014 nuk e kishte raportuar një parcelë në zonën e Rubovcit brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Si të gjithë zyrtarët e lartë publik, Zoran Spasiq ka qenë i obliguar që ta deklaroj pasurinë e tij në formularët e Agjencisë Anti-Korrupsion brenda këtij afati.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë