I akuzuari thotë se nuk ka borxhe ndaj KEDS, çështja referohet në ndërmjetësim

Gjykata44 (1)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Të mërkurën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës, Albert Maloku.

Në shqyrtimin fillestar, i akuzuari i ka propozuar gjykatës që lënda ndaj tij të referohet në ndërmjetësim, me arsyetimin se nuk kishte asnjë obligim ndaj të dëmtuarës KEDS.

Gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti ka njoftuar se paraprakisht kishte biseduar me përfaqësuesin e të dëmtuarës KEDS, Astrit Restelica, i cili ishte pajtuar që lënda të shkojë në ndërmjetësim, pasi që i akuzuari i kishte paguar borxhin në vlerë prej 61.79 euro.

Ky propozim i të akuzuarit ka marrë mbështetjen edhe të prokurorit Rexhep Maqedonci.

Andaj, gjykatësi Shyti mori aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin që lënda të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit, duke e obliguar Organin e Ndërmjetësimit që ta njoftojë gjykatën me epilogun e kësaj çështje.

Sipas aktakuzës së ngritur, më 12 korrik 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albert Maloku akuzohet se prej datës së pavërtetuar e deri më 26 tetor 2015, në shtëpinë e tij në Prishtinë, me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe me qëllim të shmangies së pagesës së energjisë elektrike ka manipuluar me njehsorin elektrik.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari sistemin e fazës së tretë T e ka eliminuar, ku si pasojë e këtij veprimi njehsori elektrik ka regjistruar energji elektrike për 33,33% më pak, me ç’rast KEDS-it i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 61.79 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “lejimi i njehsorëve të ndryshuar të shërbimeve”, nga neni 324 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi