I akuzuari thotë se i pandehuri tjetër ishte vetëm taksist dhe nuk e ka ditur për importimin e drogës nga Shqipëria në Kosovë

Fation Shota-foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Gusht 8, 2019

Gjakovë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë dhënë mbrojtjen e tyre, i akuzuari për importim të narkotikëve dhe kalim të paligjshëm të kufirit, Fation Shota, si dhe i akuzuari për importim të narkotikëve, Astrit Ibishi.

I akuzuari Shota, gjatë mbrojtjes së tij, deklaroi se më 26 dhjetor 2018, është nisur nga Prishtina, për në Tropojë të Shqipërisë, për të marrë sasinë e narkotikut, pasi që ai tha se është përdorues i marihuanës.

“Jam nisur nga Hotel Grandi në Prishtinë, me taksistin Astrit Ibishi, e kam pyetur se për sa mundesh me m’qu deri n’Gjakovë dhe kemi rënë dakord për 50 euro pagesë, gjatë rrugës i kam thënë që të më dërgojë edhe deri në Tropojë, por ai më tha që nuk mundet për shkak të mungesës së dokumentacionit për ta kaluar kufirin, makinën e taksistit Astrit e kemi lënë afër pikës kufitare dhe kemi shkuar me taksi jemi nisur për në Tropojë, ku më pas dy kilometra pasi që e kemi kaluar kufirin Astriti më ka pritur në një restorant, derisa unë kam shkuar për të marrë marihuanën”, deklaroi i akuzuari Shota.

I akuzuari Shota tha se i akuzuari Ibishi, përkatësisht taksisti nuk e ka ditur se ai po shkonte për të marrë sasinë e narkotikut.

“Astriti  nuk e ka ditur që unë po shkoj për të marrë sasinë e narkotikut të cilën e kam fshehur në trup, unë i kam thënë që do të shkoj ta takoj të dashurën”, tha i akuzuari Shota.

I akuzuari Shota tha se pasi që është takuar më pas me të akuzuarin Ibishi, atij i ka thënë që ai do të shkojë dhe do ta pres te vetura, ku më pas ai e ka kaluar kufirin ilegalisht dhe është zënë nga Policia e Kosovës, ndërsa i akuzuari Ibishi e ka kaluar kufirin në këmbë përmes pikës kufitare.

I akuzuari Shota deklaroi se ka importuar narkotikë dhe e ka kaluar kufirin ilegalisht, mirëpo sipas tij, narkotikun e ka pasur për përdorim personal dhe jo për shitblerje.

I akuzuari Astrit Ibishi gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se me profesion është taksist dhe se në ditën kritike e ka pasur si pasagjer të akuzuarin Shota, me të cilin tha se ishin marrë vesh që ta dërgonte deri në Gjakovë.

“Kemi shkuar deri në Gjakovë, pastaj më ka thënë që do të më paguaj ekstra, pasi që kam me shku me u taku me femen në Tropojë, dhe pasi që e kemi lënë veturën në afërsi të kufirit kemi shkuar me taksi deri në Tropojë, po ta dija se Fationi është përdorues i drogës nuk do të shkoja”, tha i akuzuari Ibishi.

Më pas, prokurori Ali Uka, kërkoi që seanca të shtyhet pasi që i njëjti kishte disa obligime tjera, të cilën e aprovoi trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu dhe seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 13 gusht 2019, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Fation Shota dhe Astrit Ibishi po akuzohen se më 26 dhjetor 2018, rreth orës 21:30, pa autorizim importojnë substanca narkotike dh atë të llojit marihuanë.

Siç thuhet në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake mes tyre me automjetin e markës “Opel Vectra”, pronë e të pandehurit Astrit Ibishi, parkojnë tek pika kufitare “Qafë-Morinë”, nga aty me një taksi kanë shkuar në qytetin e Tropojës, pikërisht në Rrogam, ku i pandehuri Fation Shota, kishte lënë takim me një vajzë nga qyteti i Lushnjës, dhe pasi që kishte siguruar narkotikun e llojit marihuanë me qëllim të trafikimit në Republikën e Kosovës, me peshë prej 1.5 gram, pasi e vendos në trup, kthehet tek restoranti dhe më pas që të dy me një taksi kanë shkuar në pikën kufitare Qafë-Morinë, ku i pandehuri Fation Shota në mënyrë ilegale ka kaluar kufirin shtetëror, i cili nga zyrtar policor është arrestuar dhe nga ekzaminimi i forenzikes është konstatuar se pesha e përgjithshme e kanabisit është 1.61.04 gram.

Për këtë, po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 273 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i akuzuari Fation Shota po akuzohet edhe për kalim të paautorizuar të vendkalimit kufitar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari Shota më 26 dhjetor 2018, rreth orës 23:00, në territorin e Republikës së Kosovës në vijën kufitare me Republikën e Shqipërisë, në fshatin Morinë duke anashkaluar vendkalimin e autorizuar në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore në afërsi të pikës kufitare në Morinë ka hyrë në territorin e Kosovës, ku më pas në brendësi prej 500 metra është hasur nga Policia e Kosovës. /BetimipërDrejtësi