I akuzuari thotë se e kishte pranuar fajin për grabitjen e 100 eurove në Fushë Kosovë pasi që ishte rrahur nga policia

Rasti i Abedin Berishes 31.07.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Korrik 31, 2019

Prishtinë – Abedin Berisha, i akuzuar se së bashku me të miturin H.T kundërligjshëm kanë përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme, gjatë mbrojtjes së tij, ka deklaruar se e kishte pranuar fajin për akuzën që i vihet në barre, pasi që ishte rrahur nga policia në stacion policor.

“Unë s’ia kom marrë kuletën asaj gruas po ja ka marrë shoku im H.T, po në polici më kanë rreh derisa kom thanë se unë ja kom marrë kuletën asaj e unë prej tute e kom pranu veprën” tha Berisha.

Këtë deklarim Berisha e ka bërë në shqyrtimin e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për të cilin rast akuzohej edhe H.T, por ndaj tij gjykata e ka veçuar procedurën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë mbrojtjes së tij, Berisha tha se pas përfundimit të mësimit në Fushë Kosovë në vitin 2013, me shokun e tij H.T kishin shkuar në park, ku ky i fundit ia kishte marrë kuletën të dëmtuarës Belxhezare Muqolli, pas të cilit veprim tha së të dy kishin vrapuar.

Sipas Berishës, ata nuk kishin ushtruar dhunë ndaj të dëmtuarës dhe se bashkërisht e kishin kryer veprën penale.

“Qysh thuhet se e kom godit e me dhunë ja kom marrë kuletën nuk osht qashtu, kuletën e ka marrë shoku jem, kur kena hyp n’taksi e kena qel kuletën aty jon kon 15 euro, e tu shku n Prishtinë e kena gjuajt kuletën me dokumente” tha Berisha.

Ai tha se pasi e kishte marrë vesh se policia e kishin ndaluar H.T, ai vetë ishte paraqitur në polici, ku më pas e kishin rrahur derisa e kishte pranuar fajin për akuzën që i vihet në barrë.

Paraprakisht, në seancën e së mërkurës ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari Kushtrim Rakaj.

I njëjti deklaroi se fillimisht policia e kishin ndaluar atë për këtë rast, e më pas ai iu kishte treguar emrat e personave që kishin qenë përgjegjës për këtë grabitje.

Rakaj tha se kur e dëmtuara i kishte përshkruar marrësit e kuletës së saj, atij iu kishte kujtuar se Abedin Berisha dhe i mituri H.T kishin qenë të dyshuarit për këtë rast, për të cilët tha se i njeh meqenëse i kishte pasur në shkollë.

Pas dëgjimit të dëshmitarit dhe të akuzuarit, u dha edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurorja Besa Limani kërkoi që gjykata të shpall fajtor të akuzuarin Berisha dhe të njëjtin ta dënoi sipas ligjit, pasi që sipas saj edhe me dëshminë e të dëmtuarës është vërtetuar se ai është fajtor.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare, Fetije Islami tha se gjykata nuk duhet t’ia fal besimin dëshmisë së të dëmtuarës, pasi që sipas saj ajo kishte qenë jo e sinqertë në dëshminë e saj, duke shtuar se klienti i saj kishte qenë pjesëmarrës jo aktiv në këtë vepër penale, ku veprimet kryesore i kishte marrë i akuzuari i mitur H.T.

Ajo kërkoi nga gjykata që të marrë parasysh rrethana lehtësuese dhe të mbrojturin e tij ta dënoi me një dënim të arsyeshëm.

Ndërsa vetë i akuzuari Berisha tha se ndihet shumë i penduar për këtë rast, për çka kërkoi falje.

Pas kësaj, gjykatësja Suzana Çerkini e caktoi shpalljen e aktgjykimit për 1 gusht 2019, në orën 8:45, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 shtator 2015, i pandehuri Abedin Berisha akuzohet se më 18 prill 2013 në bashkëkryerje me të miturin H.T ka përvetësuar pasuri të huaj të luajtshme me qëllim të përfitimit kundërligjor.

Sipas aktit akuzues, rreth orës 17:00  derisa e dëmtuara Belxhezare Muqolli së bashku me fëmijët e saj ishte duke lëvizur në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, në Fushë-Kosovë, i është afruar i pandehuri Abedin Berisha dhe e ka goditur pas shpine, e ka kap për dore dhe me ç’rast ia ka marrë kuletën ku e dëmtuara kishte pasur rreth 100 euro, e më pas i pandehuri është larguar në drejtim të panjohur.

Prokuroria pretendon se i pandehuri menjëherë pas ikjes ka arritur të kapet nga polica dhe i njëjti është identifikuar edhe nga e dëmtuara.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të pandehurin Abedin Berisha se në bashkëkryerje më të miturin H.T për të cilin është veçuar procedura,  ka kryer veprën  penale “Grabitja”, nga neni 329 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi