I akuzuari thotë para gjykatësit: Gjykimi i takon vetëm Allahut, ti e ke marr veten Zot

Valon Dervishaj etj- foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 11, 2020

Gjakovë – Të akuzuarit për parandalim të ushtrimit të së drejtës për të votuar, Valon Dervishaj dhe Haki Azemaj, të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza e ngritur ndaj tyre.

Ata akuzohen se kanë bërë thirrje të votuesve për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, duke vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu është SHIRK t’i bësh ortak All-llahut”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Haki Azemaj, i cili refuzoi të ngrihet në këmbë, tha se gjykimi i takon vetëm Allahut.

“Allahut i takon gjykimi e ti e ke marrë veten zot. Të drejtën e Allahut e ke marrë ti, e tash ty të adhurojnë njerëzit. Unë nuk po du me tu çu në këmbë se unë e kom një zot tjetër, e  ti e ke marrë veten zot”, tha i akuzuari Haki Azemaj.

E gjykatësi Shaqir Zika i tha se të gjithë e kemi një zot dhe se ai nuk është zot.

I akuzuari Haki Azemaj, tha se e kundërshton këtë aktakuzë, pasi që ajo që kanë bërë sipas tij, nuk është e jashtëligjshme.

Edhe i akuzuari tjetër, Valon Dervishaj i cili refuzoi të ngrihet në këmbë deklaroi se nuk pajtohet me këtë aktakuzë dhe se nuk e ka ditur që kjo gjë është e ndaluar, duke shtuar se e konsideron veten të pafajshëm.

Prokurorja Ardit Beqiraj i propozoi gjykatës që pretendimet e të akuzuarve për kundërshtim të aktakuzës të hudhen si të pabazuara, ndërsa provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës dhe mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuza, sipas saj, të shpallen si të pranueshme dhe aktakuza të merr formën e prerë, meqenëse, siç tha ajo, është ngritur sipas dispozitave ligjore.

Gjykatësi Shaqir Zeika deklaroi se lidhur me kërkesën e të akuzuarve për hudhje të aktakuzës do të vendos me vendim të veçantë dhe të arsyetuar, kundër të cilit më pas palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

I akuzuar në këtë rast për armëmbajtje pa leje është edhe Muhamet Azemaj, mirëpo ai në seancën fillestare të mbajtur më 9 janar të këtij viti, e kishte pranuar fajësinë veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj po ngarkohen me veprën penale “parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209, paragrafi 2-31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 5 tetor 2019, rreth orës 22:00, në Gjakovë, në mënyrë të kundërligjshme parandalojnë, përkatësisht pengojnë, duke ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2019.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që të pandehurit duke vepruar mes vete pas marrëveshjes paraprake, Haki Azemaj pasi që i shumëzon një numër të konsiderueshëm të afisheve në një shtypshkronjë në Gjakovë, më pas së bashku me të pandehurin Dervishaj fillimisht në “Xhaminë e Sofës”, që gjendet në rrugën “Fehmi Agani”, e më pas në afërsi të shkollës “Zekeria Rexha”, në qendër të qytetit, në çarshinë e vjetër, në rrugën “Konstantin Kristoforidhi”, bëjnë thirrje të votuesve për të mos marrë pjesë në votime, duke vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu është SHIRK t’i bësh ortak All-llahut”.

Ndërsa, i akuzuari Muhamet Azemaj po ngarkohet me veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Muhamet Azemaj pasi që më parë ka siguruar e deri më 6 tetor 2019, ka poseduar armë dhe municion pa autorizim, dhe atë një revole “Ekol Special 99” të kalibrit 9mm, me gazë e ridizajnuar si armë zjarri për të shkrepë fishekë me mbushje baruti të kalibirit 7.65mmx17m dhe një karikator të zbrazët, në atë mënyrë që në ditën kritike pas bastisjes së shtëpisë së tij dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë, e kanë gjetur dhe sekuestruar armën në fjalë. /BetimipërDrejtësi