I akuzuari se vodhi targën e veturës refuzoi thirrjen e gjykatës, kërkohet të dërgohet me forcë në seancë
Raporton: Arbenita RRAHMANI
Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, do të kërkojë praninë e të akzuzuarit për vjedhjen e targës së veturës, D.H, në seancë pasi i njëjti ka refuzuar ftesën e organeve të drejtësisë.
Gjykatësi Selman Salihi për të akuzuarin D.H ka thënë se gjykata e ka ftuar me thirrje të rregullt, thirrje të cilën ia ka dërguar përmes shërbimit të postës, mirëpo i njëjti ka refuzuar.
“Në bazë të informacionit të shërbimit të postes, i njëjti ka refuzuar ftesën” tha Salihi.
Andaj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e radhës u caktua më 12 korrik 2022, në ora 9:45.
Ndaj të pandehurit gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje të detyrueshme në gjykatë përmes Policisë.
Ndryshe, e pranishëm në seancën e sotshme ishte prokurori Ali Ajdini.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë 17 shtator 2019ë ndaj të akuzuarit D.H të cilin po e akuzon me veprën penale “Vjedhja” nga neni 325 paragrafi 1 të KPRK-së
Sipas aktakuzës, më 26 dhjetor 2018 rreth orës 17:30 në fshatin Bujan, saktësisht në rrugën magjistrale Lipjan – Shtime në restaurantin “Villa Pauna” i pandehuri me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme në parkingun e restaurantit e kishte vjedhë targën e pasme të veturës pronë e të dëmtuarit V.B e pastaj ishte larguar nga vendi dhe kishte shkuar në drejtim të panjohur.
Tutje, sipas aktakuzës, me ç’rast të dëmtuarit i kishte shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.