I akuzuari s’deklarohet pa prezencën e avokates, dështon gjykimi për korrupsion ndaj dy zyrtarëve të komunës së Fushë Kosovës

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Për shkak se i akuzuari Bejtullah Shala kishte caktuar për mbrojtëse, avokaten Marigona Lajqi, por e njëjta nuk ishte në seancë, ai kërkoi nga gjykata të shtyhet gjykimi për shkak se dëshironte të deklarohej në prezencë të saj dhe kërkesa iu aprovua.

Në këtë mënyrë, dështoi seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për korrupsion ndaj dy zyrtarëve të gjendjes civile në Komunën e Fushë Kosovës, Latif Ibrahimi dhe Bejtullah Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Shala kërkoi që të shtyhet seanca ngase në momentin e fundit kishte angazhuar për mbrojtëse avokaten Marigona Lajqi, e cila ishte e angazhuar në seancë tjetër dhe i njëjti dëshironte të deklarohej në prezencë të saj.

“Shumë vonë e kam thirrë edhe ajo e kishte një seancë në Pejë, po du me pas avokat, njëherë mendova me të thënë drejtë, pastaj vendosa përmes avokates, Marigona Lajqi”, tha i akuzuari Shala.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti e ka shtyrë seancën për 5 nëntor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 janar 2019,  nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Latif Ibrahimi dhe Bejtullah Shala po akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve të Gjendjes Civile në Komunën e Fushë Kosovës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës.

Siç thuhet në aktin akuzues, të akuzuarit pa i përfillur procedurat e fitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe pa pasur vendim mbi fitimin e shtetësisë, në mënyrë të kundërligjshme, i kanë regjistruar personat në regjistrat e gjendjes civile.

Me këtë, ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë