I akuzuari pranon se veturën që mori me qira në Gjakovë ia shiti një personi tjetër

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – I akuzuari Fitim Islamaj e ka pranuar se veturën “Audi A3” të cilën e kishte marrë me qira, nuk ia kishte kthyer pronarit të saj, por ia kishte shitur një personi tjetër.

Në seancën e shqyrtimit të dytë, i akuzuari përmes mbrojtësit të tij, avokatit Sylë Lokaj, kërkojë që të deklarohet sërish rreth fajësisë, ku pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Lokaj dhe prokurori Sadri Alija nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari, pasi që sipas tyre, ky pranim i fajësisë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresa të lëndës.

Avokati Lokaj i propozojë gjykatës që më rastin e vendosjes mbi dënimin t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese, si faktin që i akuzuari këto veprime i ka kryer me qëllim të sigurimit të mjeteve financiare për shërim, më pas faktin se ai ka shprehur gatishmëri që palës së dëmtuar t’ia kthej përfitimin e fituar e të tjera.

Gjykatësja Ilirjana Hoti, pasi që e ka aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuarit, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 23 shtator 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 16 qershor 2020, gjatë asaj dite, në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë, pikërisht në biznesin Rent a Car ”Gazi”, e përvetëson pasurinë që i është besuar.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike i akuzuari kishte shkuar në dyqanin e të dëmtuarit Gazmend Krasniqi dhe ka kërkuar një veturë me qira, pasi janë dakorduar, i dëmtuari ia jep veturën “Audi A3”, në gjendje të mirë, me autorizim për shfrytëzim deri më 18.06.2020, meqenëse i dëmtuari nuk e kthen veturën me datën e caktuar, atëherë i dëmtuari merr informacion se vetura e lartcekur i ishte shitur personit Faruk Xani, në atë moment menjëherë i dëmtuari e paraqet rastin në polici.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj” nga neni 318 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë