I akuzuari pranon se të dëmtuarit ia mori 600 euro, kinse për ta punësuar në aeroport

IMG_0743
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Tetor 8, 2019

Prishtinë – Rexhep Sinani, e ka pranuar fajësinë për mashtrim, në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Lumezi, i akuzuari Sinani ka deklaruar se e  pranon fajësinë për veprën penale të mashtrimit me të cilën e ngarkonte prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pe pranoj fajësinë, s’kam çka boj. Unë i kom bo ato vepra, baba jem si ka bo”, ka deklaruar i akuzuari Sinani.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Lumezi dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Alban Ajvazi, me arsyetimin se ishte bërë vullnetarisht, pa presion dhe se gjente mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Më pas, i akuzuari Sinani ka deklaruar se është penduar për kryerjen e kësaj vepre penale, duke i premtuar gjykatës se nuk do të përsërisë veprime të ngjashme në të ardhmen.

Pas deklarimit të të akuzuarit lidhur me fajësinë, gjykatësi Alban Ajvazi, ka njoftuar se aktgjykimi do të shpallet të mërkurën, më 9 tetor, nga ora 08:45.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Rexhep Sinanit për shkak të veprës penale “mashtrimi”, nga neni 335 par.1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, Rexhep Sinani akuzohet se më 29 gusht 2014, në Prishtinë, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, e ka mashtruar të dëmtuarin Imer Podvorica, duke i premtuar se do ta punësojë në aeroport, dhe me këtë e ka nxitur atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, pasi ky i fundit i kishte dhënë shumën e parave në vlerë prej 600 euro. /BetimipërDrejtësi