I akuzuari pranon se posedoi marihuanë brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë

Foto te Adonisi
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Tetor 25, 2019

 

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të premten, i akuzuari Adonis Dadale, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të posedimit të paautorizuar të substancave narkotike.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ardian Hajdari, i akuzuari ka thënë se e pranon fajësinë se në korrik të këtij viti, në Qendrën Korrektuese në Dubravë, kishte poseduar 0.2 gram marihuanë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare, Venera Gashi, e cila ka kërkuar nga gjykata aprovimin e këtij akti.

Këtë pranim fajësie nuk e ka kundërshtuar as prokurori Hajdari, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Sylë Lokaj.

Pasi që i akuzuari gjendet në vuajtje të dënimeve të tjera, gjyqtari ka konstatuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 28 tetor 2019, në ora 10:00, për kur do t’i siguroi edhe aktgjykimet tjera rreth të pandehurit, për t’ia shqiptuar një dënim unik.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 shtator 2019, Adonis Dadale, akuzohet se më 1 korrik 2019, në Qendrën Korrektuese  në Dubravë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike.

Në aktakuzë thuhet që në ditën kritike, pas kontrollit nga oficeri korrektues, të pandehurit i është gjetur substancë narkotike, e llojit marihuanë, në peshë prej 0.2 gram. /BetimipërDrejtësi