I akuzuari pranon se me lopatë kishte hedhur ujë e zhavorr në veturën e të dëmtuarës

fotoja
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Nëntor 7, 2019

 

Lipjan – I akuzuari për asgjësim apo dëmtim i pasurisë, Agron Mehmeti, e ka pranuar fajësinë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari, nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Edina Jupolli, sipas saj, ky pranim është në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në fjalën e saj përfundimtare i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, kurse te matja e lartësisë së dënimit, të merret parasysh pranimi i fajësisë.

Me pranimin e fajësisë nga i akuzuare Mehmeti, është pajtuar edhe e dëmtuara Ermira Topalli, e cila ka thënë se atë nuk e ndjek penalisht, pasi që ai sipas saj, i ka kërkuar falje dhe është penduar për veprimet e tij.

Gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 8 nëntor 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, i akuzuari Mehmeti akuzohet se më 7 korrik 2018, në fshatin Babush i Muhaxherëve në Lipjan, me dashje ka dëmtuar pasurinë e të dëmtuarës Ermira Topalli.

Në aktakuzë thuhet se ai ka vepruar në atë mënyrë, ku derisa e dëmtuara me automjetin e saj ishte duke lëvizur skaj rrugës së fshatit, i akuzuari ka hedhur ujin dhe zhavorrin me lopatë, në pjesën e krahut të djathtë të pjesës së përparme, deri tek dera e vozitësit edhe pse e dëmtuara e kishte paralajmëruar me bori që të ndalët, me ç’ rast i kishte shkaktuar dëme material në vlerë të papërcaktuar

E me këto veprime, sipas aktakuzës, ai po akuzohet se e ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 333, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi