I akuzuari pranon se kontrabandoi 36 qengja nga Maqedonia e Veriut, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 130 euro
Raporton: Genta PAJAZITI
Viti – I akuzuari M.B. e ka pranuar fajësinë se në gusht të 2019-ës, në bashkëkryerje ka kontrabanduar 36 krerë dele-qengja pa dokumentacion përcjellës përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut, duke i shkaktuar dëm 130 euro buxhetit të Kosovës.
Në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Rozelida Manastiri, i akuzuari M.B u deklarua fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E pranoj fajësinë, jam pendu dhe i premtoj gjykatës që më nuk do të përsëritet”, tha i akuzuari.
Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, është pajtuar prokurorja Manastiri, e cila ka kërkuar nga gjykata që t’i vlerësojë rrethanat rënduese dhe lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.
Pranimi i fajësisë është aprovuar nga gjykatësi Nexhat Aliu, ndërkaq shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet më nesër (1 qershor).
Ndryshe, në këtë rast si bashkëkryerës akuzohet edhe M.J, ndaj të cilit është veçuar procedura pasi që i njëjti është i paarritshëm për gjykatën.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se më 6 gusht 2019, rreth orës 9:00, në fshatin Debëllde, komuna e Vitisë, tek vendi i quajtuar “Lagja e Shaqirëve”, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, kanë shmangur kontrollin doganor në atë mënyrë që, pa leje përkatëse dhe pa autorizim, me automjetin-kombi të markës “Renault”, ngjyrë e bardhë, pa tabela të regjistrimit, të cilin e ngiste i pandehuri M.B., kanë bartur tridhjetë e gjashtë dele-qengja, nga fshati Tanushë, Republika e Maqedonisë Veriore, në fshatin Binqë, komuna e Vitisë, pa asnjë dokument përcjellës për prejardhjen e mallit, duke kaluar vijën kufitare dhe duke shmangur kontrollin doganor, me ç’rast, kamioni identifikohet nga patrulla e policisë kufitare të SPMK në Zhegër, gjatë lëvizjes nga fshati Debëllde në drejtim të fshatit Binqë, ku edhe vihen në kërkim të të njëjtit.
Sipas aktakuzës, i njëjti arrin të shmanget nga policia, por për shkak të defektit në gomën e automjetit, në lagjen e “Shaqirajve” e braktis automjetin dhe lëshon qengjat në livadh duke u larguar nga vendi i ngjarjes, mirëpo automjeti i braktisur lokalizohet nga policia si dhe në afërsi të tij sekuestrohen 36 krerë dele-qengja, pa matrikula dhe dokumentacion përcjellës, ku gjatë kontrollit të terrenit takohet edhe i pandehuri M.J, i cili pohon se qengjat i kishte blerë në fshatin Tanushe dhe po i transportonte i pandehuri M.B., i cili më pas paraqitet, mirëpo pas riparimit të gomës së automjetit arratiset nga vendi i ngjarjes dhe përkundër përpjekjes së policisë deri me datë 13 gusht 2019 i pandehuri nuk paraqitet.
Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë të pandehurit me veprimet e tyre, për të iu shmangur kontrollit doganor, përmes rrugëve ilegale, në bashkëkryerje kane bërë bartjen e mallit, e qe shmangia doganore, sipas vlerësimit të Doganës së Kosovës është 129 euro e 60 cent.
Për këtë, ata po akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.