I akuzuari pranon se e kishte goditur me thikë të dëmtuarin për shkak të një borxhi

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Korrik 10, 2019

Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë i akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Milan Brakus.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arjan Xhema, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

“Shprehi keqardhje për këtë që ka ndodh. E di që kam gabuar, s`kam pas asgjë të keqe, ka ndodh aty për aty. Tani jena në marrëdhënie të mirë çdo ditë shihemi dhe takohemi. E lus gjykatën që të marrë parasysh këto rrethana, po ashtu jetojë në kushte të vështira ekonomike”, ka thënë i akuzuari.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Xhema, por i cili ka thënë se ndaj të akuzuarit janë duke u zhvilluar hetime edhe për vepra tjera penale.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit dhe të marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Gjykatësi Rrahman Beqiri, pasi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 11 korrik 2019, në ora 11:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 21 shkurt 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Milan Brakus.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Brakus, më 31 korrik 2017, në Mitrovicë, në oborrin e shkollës “Branko Radiqeviq”, pas mosmarrëveshjes rreth borxhit në shumë prej rreth 1000 dinarë me të dëmtuarin Lubomir Bozhoviq, e kishte goditur me këmbë, e pastaj e kishte nxjerr thikën nga xhepi i xhaketës dhe e kishte goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Brakus akuzohet se ka kryer veprën penale ”lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi