I akuzuari pranon se e goditi me veturë të dëmtuarën që po ecte në vendkalimin për këmbësorë

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Mars 14, 2019

Viti – I akuzuari për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Gazmend Rrahmani, e ka pranuar fajësinë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bahtije Ademi, i akuzuari Rrahmani, ka deklaruar se e ndien veten fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se vepra ka ndodhur nga pakujdesia dhe e dëmtuara nuk ka pasur lëndime të rënda trupore.

Prokurorja Bahtije Ademi, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke thënë se ky pranim është bërë në pajtim me dispozitat përkatëse të KPRK-së.

Në fjalën përfundimtare, ajo ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe te matja e dënimit, si rrethanë lehtësuese, sipas saj, të merret pranimi i fajësisë.

Gjykatësi i çështjes Skender Shefkiu, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 15 mars 2019, në ora 11:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Gazmend Rrahmani, të cilin e ngarkon me veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par.6 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Rrahmani, më 31 korrik 2017, rreth orës 09:00, në rrugën publike “Hoxhë Jonuzi” në Viti, i pandehuri ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, ashtu që duke e drejtuar automjetin për pasagjer të markës “VE Passat”, ka vepruar në kundërshtim të dispozitës ligjore neni 149 paragrafi 1 I Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka vepruar në atë mënyrë me të arritur përballë kafenesë “Venecia” në Viti, nga pakujdesia me pjesën e parë të anës së djathtë të automjetit, e godet në këmbën e majtë këmbësoren, tani të dëmtuarën Sabrije Ahmeti, e cila në momentin kritik ishte duke kaluar nga ana e djathtë në anën e majtë, në vendkalimin e shënuar për këmbësor.

Po ashtu, sipas aktakuzës, nga ky aksident i komunikacionit lëndime të lehta trupore pëson e dëmtuara, e cila për shkak të natyrës së lëndimeve të pësuara, detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti.

Sipas aktit akuzues Rrahmani akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut Publik” nga neni 378 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi