I akuzuari pranon se e fotografoi votën në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare

Enver Llukaci foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 18, 2019

 

Gjakovë – I akuzuari Enver Llukaci, në seancën fillestare të mbajtur, të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka deklaruar se e pranon fajësinë për cenim të fshehtësisë së votimit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, prokurori Buzhala nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Gjykatësi Mentor Bajraktari e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 19 nëntor, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 30 tetor 2019, Enver Llukaci po ngarkohet me veprën penale “cenimi i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Llukaci më 6 tetor 2019, rreth orës 10:00, në qendrën e votimit në shkollën e mesme “Kadri Kusari” në Gjakovë, derisa ka qenë duke u zhvilluar procesi i votimit, ka cenuar fshehtësinë e votimit, në atë mënyrë që ai është vërejtur nga vëzhguesit e qendrës së votimit, duke e fotografuar fletëvotimin e tij me telefon. /BetimipërDrejtësi