I akuzuari pranon se duke ia drejtuar armën në fyt e kanosi të dëmtuarin në një fitnes në Gjakovë

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – I akuzuari R.Sh. e ka pranuar fajësinë se më 15 nëntor 2019, në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, në fitnesin “Gym One” e ka kanosur të dëmtuarin Xh.A. me armë duke i drejtuar të njëjtën në fyt.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Deshirë Jusaj, i akuzuari Sh. tha se e pranon fajësinë për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

“E pranoj fajësinë për të dy veprat penale jam penduar dhe i kërkoj falje të dëmtuarit”, tha ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Pozhegu, prokurorja Jusaj dhe i dëmtuari nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë i bërë nga i akuzuari.

Avokati Pozhegu tha se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për konsultimit të mjaftueshëm me të, duke shtuar se edhe i dëmtuari nuk i është bashkëngjitur ndjekjes penale dhe se as nuk kërkon kompensim dëmi.

Prokurorja Jusaj tha se e vlerëson korrektësinë e të akuzuarit, ashtu që i propozojë gjykatës që me rastin e vendosjes mbi dënimi t’i ketë parasysh krahas rrethanave rënduese edhe rrethanat lehtësuese, si pranimin e fajësisë.

Ndërsa, i dëmtuari tha se e pranon kërkim faljen nga i akuzuari dhe shtoi se edhe familja e të akuzuarit kishte qenë tek ai për t’u pajtuar, dhe se nuk kërkon kompensim dëmi.

Më pas, gjykatësi Ilir Rashkaj e ka aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari, derisa shpalljen e ka caktuar që të bëhet më 3 qershor 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se R.Sh., më 15 nëntor 2019, në Gjakovë, në rrugën “Beqir Kastrati”, seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra dhe veprime se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, të dëmtuarit Xh.A.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që natën kritike rreth orës 21:00, në fitnesin “Gym One”, derisa i dëmtuari bashkë me shokun e tij shkojnë për t’u ushtruar, dhe me të filluar me ngritje të peshave të rënda, u është kërkuar nga menaxheri i fitnesit, përkatësisht i akuzuari, që t’i lëshojnë më ngadalë dhe mos të bëjnë zhurmë, ashtu që pasi i njëjti ka përsëritur kërkesën ndaj tyre duke ua tërhequr vërejtjen, atëherë u ka kërkuar punëtorëve të fitnesit që t’ua anulojnë kartelat.

Tutje sipas aktakuzës, meqenëse i dëmtuari ka kërkuar arsye për këtë, menjëherë ka reaguar i  njëjti duke i thënë “Prit se tash të tregojë”, dhe ka shkuar tek zhveshtorja ku kthehet me një pistoletë në dorë të llojit “TTM 57”, duke ia drejtuar në fyt dhe i kërkon të dëmtuarit që të del jashtë duke i thënë: “Të vras këtu si qenin, hajde ec, del jashtë nga këtu”, me çka në këtë mënyrë tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth, shqetësim dhe frikë serioze për jetën dhe trupin e tij.

Më këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

I njëjti ngarkohet edhe për mbajtjen pa leje të armës së lartcekur dhe një karikator dhe tre fishekë.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë