I akuzuari pranon fajësinë se kundërligjshëm ishte furnizuar me energji elektrike

Kline
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Shtator 18, 2019

Klinë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Raif Berisha, e ka pranuar fajësinë, në seancën fillestare që është mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, i akuzuari Berisha, e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë jam mbajtës i familjes. Më vjen keq për këtë vepër që e kam kryer, por jetoj në kushte shumë të rënda”, ka thënë i akuzuari Berisha.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Berisha, nuk e ka kundërshtuar prokurori Gashi, si dhe më pas me aktvendim e ka aprovuar edhe gjykatësja e rastit, Sabrije Rraci.

Gjykatësja Rraci, ka thënë se aktgjykimi do të shpallet më 19 shtator 2019, në orën 11:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Raif Berisha, akuzohet për shkak se në kohë të pacaktuar e deri më 14 tetor 2017, në fshatin Volljakë të Komunës së Klinës, përmes mënyrave tjera siguron shërbime, për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit, dhe shmang pagesën për shërbime të tilla.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizimin e furnizuesit të autorizuar dhe pa njehsor, lidhet direkt në përçuesin e rrymës elektrike, dhe energjia e shpenzuar përmes pajisjeve elektrike nuk regjistrohet fare dhe me këtë kompaninë KEDS, e dëmton në vlerë prej 159.15 euro.

Për shkak të këtyre veprimeve, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “Vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi