I akuzuari pranon fajësinë se kundërligjshëm ishte furnizuar me energji elektrike

Kline
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Gusht 13, 2019

Klinë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Eshref Bajraktari, e ka pranuar fajësinë, në seancën fillestare që është mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, i akuzuari Bajraktari, e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E ndjej vetën fajtor, për këtë vepër që e kam kryer”, ka thënë i akuzuari Bajraktari.

Fillimisht, në këtë seancë, prokurori Gashi, ka bërë të ditur se ndaj të akuzuarit Bajraktari ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vjedhja e shërbimeve komunale, tani e ngarkon të akuzuarin me veprën penale të vjedhjes së shërbimeve, sipas Kodit të ri Penal.

“Rikualifikoj veprën penale nga neni 320, në nenin 314, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 6, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetët e pa ndryshuar”, ka thënë prokurori Gashi.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Bajraktari, nuk e ka kundërshtuar prokurori Gashi, si dhe më pas me aktvendim e ka aprovuar edhe gjykatësi i rastit, Jashar Gashi.

Gjykatësi Gashi, ka thënë se aktgjykimi do të shpallet më 14 gusht 2019, në orën 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 14 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Eshref  Bajraktari, po akuzohet se më parë e deri më 4 maj 2017, në fshatin Gremnik të Komunës së Klinës, në shtëpinë e të akuzuarit, në atë mënyrë që personat e autorizuar të KEDS-it, pas një kontrolli tek i akuzuari, kanë konstatuar së njehsori elektrik nuk posedon bllomba distributive dhe shtetërore, është i shkyçur në njehsor dhe i kyçur direkt në shtyllë elektrike, pra jashtë pikës matëse.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Bajraktari, ka furnizuar pajisjet elektrike të përshkruara si në procesverbal, me ç’ rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në shumë prej 142,72, euro.

Prokuroria Themelore në Pejë, të akuzuarin Bajraktari, e akuzon për vepër penale ”Vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi