I akuzuari pranon fajësinë se ilegalisht ishte furnizuar me energji elektrike

Pallati 7
Author

Raporton: Egzon HALILI

Nëntor 7, 2019

 


Prishtinë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Gazmend Demolli, e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rexhep Maqedonci, i akuzuari Demolli, ka deklaruar se ndihet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurori Maqedonci dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Alban Ajvazi, me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe se gjente mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Ndërsa, lidhur më këtë pranim fajësie, gjykatësi Ajvazi, ka njoftuar se shpallja në këtë çështje penale do të bëhet më 13 nëntor 2019, në ora 08:45.

Ndryshe në këtë seancë para leximit të aktakuzës prokurori i çështjes Maqedonci ka bërë ricilësimin e veprës penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320, të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, në veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, pasi është më i favorshëm për palën.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 shtator 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Demolli për veprën penale “Vjedhja e Shërbimeve Komunale” nga neni 320 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 11 janar 2016, punëtorët e autorizuar të KEDS-it, gjatë kontrollit te konsumatori, kanë konstatuar se i akuzuari Demolli, me qëllim që vetit t’i sjell pasuri të kundërligjshëm, është furnizuar me energji elektrike në mënyrë ilegale, ku është kyçur direkt në rrjetin elektrik, pa njehsor elektrik-pa matje, ku energjia e shpenzuar nuk është regjistruar fare, me ç’rast KEDS-it, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 504,96 euro. /BetimipërDrejtësi