I akuzuari pranon fajësinë për tri vjedhje në Fushë Kosovë, mohon fajësinë për dy të tjera

Rasti Fatos Abazi-15.04.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Prill 15, 2019

Prishtinë – I akuzuari Fatos Abazi, e ka pranuar fajësinë për tri vepra penale të vjedhjes, ndërsa  është deklaruar i pafajshëm për dy raste të tjera.

Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Shala Muahxhiri, i akuzuari Abazi pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Fanol Krasniqi, ka deklaruar se ndihet fajtor dhe është penduar për tri rastet e vjedhjes në rrugën “Dardania”, në Fushë Kosovë.

Ndërsa,  për  veprat penale të vjedhjes në rrugën “Shefki Kuleta” dhe në rrugën “Qajupi”, i akuzuari Abazi nuk e ka pranuar fajësinë.

Ky pranim i fajësisë ka marrë mbështetje nga avokati Krasniqi, me arsyetimin se pranimi për tri nga rastet për të cilat akuzohet, është bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari Abazi, pasi i janë sqaruar të gjitha beneficionet dhe pasojat e tij.

Lidhur me këtë pranim, është pajtuar edhe prokurorja Shala Muahxhiri, ndërsa në pikat tjera të cilat i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, Shala i ka propozuar gjykatës që të shkohet në shqyrtim gjyqësor ku do të bëhet administrimi i provave.

Andaj, gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi mori aktvendim me të cilin e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari për tri rastet e ndodhura në rrugën “Dardania”, ndërsa për dy rastet e tjera, tha se do të vazhdohet në shqyrtim gjyqësor.

Pas njoftimit me të drejtat e tij, lidhur me kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, avokati Krasniqi ka deklaruar se heq dorë nga kundërshtimet.

Paraprakisht, në këtë seancë, gjykatësi Ajvazi ka refuzuar propozimin e avokatit Krasniqi për bashkimin e procedurës së të akuzuarit Abazi, me arsyetimin se ai gjendet në paraburgim dhe një bashkim i tillë do të zvarriste rrjedhën e procedurës.

Seanca e radhës ku do të ftohen të dëmtuarit Naim Blahu dhe Gani Berisha është caktuar më 10 maj 2019, duke filluar nga ora 10:00.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Hidajet Haxholli, ndaj të cilit ishte zhvilluar procedurë tjetër nga gjykatësi Adnan Isufi, pasi që për të akuzuarin Abazi më 3 janar 2019, ishin pezulluar hetimet, për shkak se i njëjti gjendej në arrati.

Nga gjykatësi Isufi, Haxhollit, iu kishte shqiptuar dënim unik  me burg efektiv prej katër vite, si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 4000 euro, të cilit do t’i zëvendësohet me burg në rast të mos pagesës, për tri vjedhjet në rrugën “Dardania”.

Ndërsa, për veprat penale të vjedhjes në rrugën “Shefki Kuleta” dhe në rrugën “Qajupi”, Haxholli, ishte liruar në mungesë të provave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatos Abazi, i cili akuzohet se në bashkëveprim me Hidajet Haxhollin, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme dhe që vetit t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror në rajonin e Fushë Kosovës, ka kryer pesë vepra penale të vjedhjes së rëndë.

Në pikën e parë të dispozitivit thuhet se më 2 tetor 2018, në rrugën “Dardania” i akuzuari Abazi në bashkëveprim me Hidajet Haxhollin, duke përdorur forcën, me mjet të përshtatshëm kanë hapur banesën e të dëmtuarës Dafina Millaku dhe nga aty kanë vjedhur një kuti kursimesh me para në vlerë rreth 60 euro.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Abazi se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 pika 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të dispozitivit thuhet se më 27 gusht 2018, në rrugën “Shefki Kuleta”, i akuzuari Abazi në bashkëveprim me Hidajet Haxhollin, duke përdorur forcën, me mjet të përshtatshëm kanë thyer cilindrin e derës së banesës të të dëmtuarit Gani Berisha, por porsa kanë vërejtur se i dëmtuari gjendet brenda në banesë, kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Abazi se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 pika 1 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.

Në pikën e tritë të dispozitivit, thuhet se më 17 shtator 2018 në rr.”Qajupi”, i akuzuari në bashkëveprim me Hidajet Haxhollin, duke përdorur forcën me mjet të përshtatshëm kanë hapur banesën e të dëmtuarit Naim Lahu dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari në vlerë 1600 euro.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Fatos Abazi se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 pika 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së

Në pikën e katërt të dispozitivit thuhet se më 24 shtator 2018 në rrugën ”Dardania”, i akuzuari së bashku me Hidajet Haxhollin, duke përdorur forcën me mjet të përshtatshëm kanë hapur banesën e të dëmtuarit Petrit Neziri dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari në vlerë 1350 euro, një laptop me çantë dhe pajisje përcjellëse të gjitha në vlerë 250 euro.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Abazi se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 pika 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së

Sipas aktakuzës në pikën e pestë të dispozitivit, përshkruhet se më 7 mars 2016, në rrugën ”Dardania”, i akuzuari Abazi në bashkëveprim me Hidajet Haxhollin, është afruar te ndërtesa me automjetin “Renault”, dhe duke përdorur forcë me mjet të përshtatshëm kanë hapur banesën e të dëmtuarit Bashkim Ibrahimi dhe nga aty kanë vjedhur një llaptop me çantë krahu në vlerë 200 euro.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Abazi  se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 pika 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi