I akuzuari pranon fajësinë për katër raste të prerjes ilegale të pyllit në Viti

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Tetor 8, 2019

Viti – I akuzuari Besim Gashi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të vjedhjes së pyllit.

Pasi që aktakuza është lexuar nga prokurori Ismet Ukshini, i akuzuari Gashi ka thënë se  e ndien veten fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Gashi ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, dhe mundësisht më gjobë, me arsyetimin se është duke pritur një vizë të punës jashtë vendit.

Ai ka shtuar se veprën e ka kryer nga kushtet e vështira ekonomike dhe  ka premtuar se më nuk do të përsëris vepra të tilla.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Ukshini, sipas të cilit një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësja e  çështjes, Drane Simani, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 9 tetor 2019, në ora 08:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 nëntor 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Besim Gashi, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358, paragraf 1, dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, më 25 shtator 2018, rreth orës 11:30, në territorin e fshatit Goshicë të Vitisë, në vendin e quajtur “Te Trenat”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK-ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 13 trungje të ahut, me diametër në cung 16-18, në lartësi 17 cm, dhe gjatësi 8m, me vëllim të përgjithshëm prej:2,96 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 395 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar të APK-në, zyra në Viti.

Sipas diapozitivit të dytë të aktakuzës, më 7 tetor 2018, rreth orës 09:30, në territorin e fshatit Goshicë, të Vitisë, në vendin e quajtur “Tren”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK-ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 30 trungje të bungut, me diametër në cung 16-18, në lartësi 17,5cm, dhe gjatësi 8 m, me vëllim të përgjithshëm prej:3,72 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 476 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar të APK, zyra në Viti.

Sipas diapozitivit të tretë të aktakuzës, më 11 tetor 2018, rreth orës 09:30, në territorin e fshatit Goshicë, të Vitisë, në vendin e quajtur “Tren”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK-ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 31 trungje të bungut, me diametër në cung 16-18, në lartësi 17,5cm, dhe gjatësi 8 m, me vëllim të përgjithshëm prej:3,84 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 492 euro, shumë kjo me të cilën e ka  dëmtuar të APK, zyra në Viti.

Ndërsa, sipas diapozitivit të katërt të aktakuzës, më 14 tetor 2018, rreth orës 10:00, në territorin e fshatit Vërban, të Vitisë, në vendin e quajtur “Kodra e Zezë”, i pandehuri me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK–ja, zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 29 trungje të ahut dhe shkozë, me diametër në cung 16-24, në lartësi 17-23 cm, dhe gjatësi 11-15m, me vëllim të përgjithshëm prej:5,11 m3, me çka ka shkaktuar dëm në shumë prej 690 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar të APK, zyra në Viti. /BetimipërDrejtësi