I akuzuari pranon fajësinë për falsifikim të 35 kartëmonedhave të 100 eurove, mohon fajësinë për posedim të narkotikëve

IMG_9848
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Tetor 8, 2019

Ferizaj – Në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Suad Strazha, ka pranuar fajësinë për veprën penale të falsifikimit të parasë, kurse për posedim të paautorizuar të substancave narkotike, ai është deklaruar i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rasim Maloku, i akuzuari Strazha tha se për pikën një të aktakuzës ndihet fajtor, kurse lidhur me posedimin e narkotikëve të llojit kokainë, për këtë tha se nuk ishte gjetur në shtëpinë e tij dhe nuk e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, Maloku ka kërkuar që të aprovohet fajësia për veprën e parë, me arsyetimin se e njëjta nuk ka të bëj me veprën e dytë dhe ka propozuar që shqiptimi i dënimit të shtyhet deri në përfundim të procedurës lidhur me veprën penale për të cilën ai është deklaruar i pafajshëm.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, ka aprovuar pranimin e fajësisë për veprën e parë, dhe shqiptimin e dënimit e ka shtyer deri në përfundim  të procedurës lidhur me veprën e dytë.

Po ashtu, Idrizi ka marr aktvendim që ndaj të akuzuarit të ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, i cili do të zgjasë një muaj.

I akuzuari Strazha, është udhëzuar në të drejtën e tij ligjore, që në afat prej 30 ditësh mund të paraqes kundërshtimet lidhur me provat, apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 shtator 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Suad Strazha, akuzohet se më 25 qershor 2019, në shtëpinë e tij në Kaçanik, i ishin gjetur para të falsifikuara, dhe atë, 35 kartëmonedha të vlerës 100 euro, të cilat kishte pasur për qëllim që t’i vinte në qarkullim si të vërteta, edhe pse e kishte ditur se të njëjtat janë të falsifikuara.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i parasë”, nga neni 296, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, në pikën dy të aktakuzës, ai akuzohet se pas kontrollit në shtëpinë e tij, nën tjegullat e shtëpisë së fqinjit, e cila ishte e ngjitur me tarracën e të pandehurit, ishte gjetur një qese e plastikës, ku kishte pasur substancë narkotike të llojit kokainë me peshë neto 6.69 gramë, dhe një tjetër qese me peshë neto 0.28 gram, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “blerja, posedimi, shprëndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi