I akuzuari pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje, ndërsa deklarohet i pafajshëm për kanosje

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- I akuzuari Albisjan Fazliu ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, ndërsa u deklarua i pa fajshëm për veprën penale të kanosjes.

Këtë deklarim rreth fajësisë, i akuzuari e ka bërë në seancën fillestare, të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, pasi që i akuzuari tha se e ka të çartë akuzën e prokurorit.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Rasm Maloku, po ashtu nuk u kundërshtua as nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Visar Musa, e më pas u aprovua nga gjykatësja Goga- Lubishtani.

Ndërsa, për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par.4 të KPRK-së, i akuzuari Albisjan Fazliu u deklarua i pafajshëm.

Kështu, sa i përket dispozitivit të II-të të kësaj akuze, pasi që i akuzuari nuk pranoi fajësinë, gjyqtarja e çështjes, Goga-Lubishtani, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Visar Musa lidhur me të drejtën e tyre, për kundërshtim të provave dhe parashtrim të kërkesës për hudhje të aktakuzës, brenda afatit të paraparë ligjor prej 30 ditëve.

Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, rreth orës 00:10 në fshatin Muzeqinë, rruga “Fehmi Agani”, Komuna Shtime, i pandehuri kishte poseduar armën në kundërshtimin me nenin 5 të Ligjit mbi armët numër 05/L-022.

Në akuzë thuhet se pasi që policia kishte pranuar një informatë për një kanosje me armë, patrulla e policisë kishte dal për kontroll në vendin e lartpërmendur dhe pas bisedës me të pandehurin, i njëjti kishte pranuar se posedon pushkën automatike të tipit “AK-47″, me numër serik: 3169969, të kalibrit 7.62 mm, e cila ishte sekuestruar përkohësisht nga policia.

Sipas prokurorisë i pandehuri ngarkohet me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga nen 366 par.1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit II. të kësaj aktakuze, më datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të dispozitivit të parë, i pandehuri pas një mosmarrëveshje qe kishte me të dëmtuarin Liridon Sahiti, me qellim të frikësimit e kishte kanosur seriozisht të dëmtuarin me armë.

Siç thuhet në akuzë, i pandehuri pasi që kishte dëgjuar duke diskutuar të dëmtuarin Lirdion me nënën e tij rreth një borxhi të mëhershëm, kishte marrë pushkën automatike të tipit “AK-47″, me numër serik: 3169969, të kalibrit 7.62 mm dhe kishte dal jashtë në oborr duke ia drejtuar armën të dëmtuarit Liridon, i cili më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me çka kreu veprën penale “Kanosje”, nga neni 181 par.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë