I akuzuari për vrasjen e vëllait për bagëti kërkon avokat tjetër, shtyhet seanca

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Januz Gashi, i akuzuar se më 12 qershor 2021, në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllanë e tij H.G, ka kërkuar të enjten, që t’i ndërrohet avokati mbrojtës i caktuar sipas detyrës zyrtare, Sokol Dobruna.

Fillimisht, avokati Dobruna tha se përmes telefonit i akuzuari Gashi ka kërkuar nga ai që të mos jetë më mbrojtës i tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I mbrojturi im përmes telefonit ka kërkuar që unë të mos jem mbrojtësi i tij, që të tërhiqem, pasi nuk dëshiron që të jem mbrojtësi i tij, me arsyetimin se unë nuk ia kam dorëzuar gjykatës raportin mjekësor për të akuzuari në spital, por që nuk është e vërtetë pasi që unë dhe gjykata e kemi të njëjtin raport”, tha avokati.

Ai shtoi se e jep pëlqimin që të tërhiqet nga mbrojtja e të akuzuarit.

Kurse, i akuzuari Gashi tregoi arsyet se pse po kërkon që t’i ndërrohet avokati dhe t’i caktohet një tjetër sipas detyrës zyrtare.

“Se jam që një vit në paraburgim dhe asnjëherë nuk ka ardhur të më vizitojë në paraburgim dhe të diskutojmë. Lidhur me raportin mjekësor është e vërtetë që e ka pasur avokati, por unë kam mësuar pas 7-8 muaj gjatë shqyrtimit gjyqësor” , tha ndër të tjera i akuzuari.

Prokurorja Dëshirë Jusaj dhe pala e dëmtuar nuk e kanë kundërshtuar propozimin e të akuzuarit që t’i ndërrohet avokati, meqenëse sipas prokurores, edhe avokati ka dhënë pëlqimin për një gjë të tillë.

Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani e ka aprovuar propozimin e të akuzuarit.

Gjykatësi Komani tha se do t’i drejtohet Odës së Avokatëve në mënyrë që të njëjtit t’i caktojnë një avokat tjetër të akuzuarit.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 21 korrik 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 12 qershor 2021, rreth orës 21:25, në fshatin Sopniq të Rahovecit, i akuzuari Januz Gashi, në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllanë e tij H.G, i moshës 65 vjeçare dhe ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve Afrim dhe Atdhe Gashi.

Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur në atë mënyrë që viktima së bashku me dy djemtë e tij shkojnë në oborrin e të akuzuarit për t’ia dërguar bagëtinë dhe aty pas një fjalosjeje të çastit i akuzuari Januz e nxjerrë një revole nga xhepi i djathtë i pantallonave dhe atë të tipit “Zoraki M916-B”, e me të njëjtën shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, i cili në ikje e sipër qëllohet me dy të shtëna, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.5 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ai po ngarkohet edhe për mbajtjen pa leje të armës së lartcekur, me çka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë