I akuzuari për vrasjen e Aulon Zekës sërish dënohet me mbi nëntë vjet burgim, ndaj dy të tjerëve shqiptohen masa edukative dhe rehabilituese

rast-ne-civile-620x275
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish ka shpallur aktgjykimin lidhur me rastin e vrasjes së Aulon Zekës.

I mituri G.H, i akuzuar për vrasje të rëndë është dënuar me nëntë vjet e gjashtë muaj burgim.

Për këtë rast fajtore është shpallur edhe e mitura R.G ndaj të cilës është shqiptuar masë edukative – korrektuese në kohëzgjatje prej tre vjetësh për kryerjen e veprës penale dhënie e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale.

Ndërsa, ndaj të miturit të tretë L.Ll për “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve te tyre”,  është shqiptuar mbikëqyrje e shtuar nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj.

Sipas këtij aktgjykimi të miturit G.H do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata e Apelit pas aktgjykimit të parë të shpallur nga Gjykata Themelore më 16 prill 2018, duke vepruar sipas ankesave, e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë në këtë rast.

Sipas Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, çështja i ishte kthyer Gjykatës Themelore në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas komunikatës së Gjykatës Themelore në Prishtinë këtë të mërkurë është shpallur aktgjykimi i dytë nga kjo gjykatë lidhur me këtë rast e që lartësia e dënimeve është e njëjtë si në aktgjykimin e parë.

Ndryshe, të miturit G.H, R.G  akuzoheshin në rastin e vrasjes së të miturit Aulon Zeka,  ndërsa L.Ll akuzohej për moslajmërim të kësaj vepre penale.

Aulon Zeka ishte vrarë më 16 shtator 2017, në Prishtinë