I akuzuari për vrasje në tentativë deklarohet i pafajshëm, pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje

IMG_9623 (1)
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Korrik 29, 2020

Prishtinë – Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari për vrasje në tentativë, Mërgim Limani është deklaruar i pafajshëm.

Ai po akuzohet edhe për mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armës, për të cilën vepër ai e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari dhe pas deklarimit të të akuzuarit Limani, mbrojtësi i tij, avokati Behar Ejupi ka kërkuar nga trupi gjykues që të njëjtit t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me një masë tjetër, meqë sipas tij, kanë pushuar arsyet e vazhdimit të së njëjtës.

“I propozoj gjykatës që të ndërpresë masën e sigurisë, meqë kanë pushuar shkaqet për çka është caktuar dhe vazhduar kjo masë. Të mbrojturit tim i dihet identiteti adresa dhe statusi martesor. Është interes i tij që të kthehet pranë familjes, me theks të veçantë tek djali i tij tre vjeçar”, tha Ejupi.

Mirëpo, ky propozim është kundërshtuar nga prokurori Bajraktari.

“Konsiderojmë se ende ekzistojnë shkaqet mbi të cilat i është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit. Ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurit me çka do të vështirësonte procedurën penale, si dhe ekziston rreziku i përsëritjes së veprës. Natën kritike kur e ka kryer veprën penale, ai është arratisur dhe armën e ka marrë me vete, ku tek të nesërmen është paraqitur në polici”, deklaroi prokurori Bajraktari.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit, Isuf Makolli mori aktvendim me të cilin e ka refuzuar propozimin e mbrojtësit Ejupi.

Gjykatësi Makolli i ka njoftuar palët që deri në shqyrtimin gjyqësor të radhës të paraqesin prova dhe kundërshtime, si dhe të bëjnë kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë është caktuar të mbahet më 4 shtator 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Mërgim Limani akuzohet se më 28 prill 2020, rreth orës 19:20, në Prishtinë, me dashje kishte tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin Nehat Cakolli, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari Cakolli kishte qenë duke shkuar për të blerë diçka me veturën e tij, para tij kishte qenë i akuzuari Limani po ashtu me veturën e tij.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa i dëmtuari e kishte anashkaluar, i akuzuari e kishte hapur xhamin e derës së veturës dhe e kishte sharë të dëmtuarin, ku më pas ai kishte vazhduar rrugën dhe ishte kthyer tek shtëpia e tij. Tutje thuhet se i dëmtuari Cakolli kishte shkuar përsëri në një dyqan, ku përsëri e kishte takuar të akuzuarin Limani, e të cilit i kishte thënë “mos u sill kështu se jemi komshi dhe skam ku shkoj e s’ke ku shkon”, kurse i akuzuari Limani i kishte kthyer “u krye u krye, shihemi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Limani ishte ndaluar me veturë përball dyqanit ku kishte qenë i dëmtuari Cakolli ku më pas kishte dalë nga vetura me armën e zjarrit AK-47. Tutje thuhet se pasi që i dëmtuari e kishte parë, kishte ikur në drejtim të shtëpisë së tij dhe sapo kishte arritur afër derës së shtëpisë së vëllait të tij, Esat Cakolli, i pandehuri Limani kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kishte mundur ta qëllonte, me ç’rast, predha e kishte qëlluar dhe kishte depërtuar brenda në kornizën e xhamit të shtëpisë në katin përdhes.

Për këtë, ai po akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasja në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu sipas aktakuzës, nga data e pa caktuar e deri më 29 prill 2020, i akuzuari kishte mbajtur në pronësi armën e zjarrit të tipit AK-47 me bajonetë, me një karikator dhe municion, me të cilin me datë 28 prill 2020 kishte kryer veprën penale të përshkruar në dispozitivin e parë.

Për këtë, ai po akuzohet për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.  /BetimipërDrejtësi