Dragash-Të mërkurën, në shqyrtimin e dytë, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, i pandehuri Eshref Ihtimani, i akuzuar për veprën penale vjedhje e shërbimeve, i ka dorëzuar gjykatës në formë të shkruar kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Ihtimani ka kërkuar nga gjykata, që ta marrë për bazë dhe ta aprovoi kërkesën e tij, ngase ai është i pa fajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë jam i pafajshëm, nuk e kam kryer këtë vepër për të cilën po akuzohem. Pretendimet e mija i kam shprehur në formë të shkruar dhe kërkojë nga gjykata që t’i vlerësoi në mënyrë të drejt”, ka thënë Ihtimani në fjalën tij.
Mirëpo, kërkesën e tij e ka kundërshtuar prokurori Musli Gashi, i cili ka thënë se nuk ka bazë ligjore, ngase siç shihet nuk ka prova të cilat dëshmojnë se ai është i pa fajshëm, ndaj edhe kërkon vazhdimin e procedurës gjyqësore.
Gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, ka thënë se lidhur me kërkesën e të pandehurit, do të marrë aktvendim në formë të shkruar, ndërsa seancën e radhës për këtë rast, do ta caktoj pasi që të plotësohen kushtet.
Sipas aktakuzës së ngritur me 2 mars 2020, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Eshref Ihtimani, akuzohet se me datën 14 dhjetor 2019, në fshatin Leshtan, Komuna e Dragashit, saktësisht në shtëpinë e tij, përfiton nga shërbimi komunal, përmes rrjetit përçues të rrymës apo rrjetit të shpërndarjes, pa autorizim të shfrytëzuesit të autorizuar.
Vepra ndodh në atë mënyrë që, i pandehuri shfrytëzon energjinë elektrike, duke u lidhur në mënyrë direkte nga shtylla për në shtëpi, me një kabllo vazhduese, nga një objekt i pa banuar, e gjithë kjo jashtë njësorit elektrik, ku energjia elektrike nuk regjistrohet, duke i shkaktuar kështu të dëmtuarës KEDS, dëme materiale.
Me këto veprime, ai dyshohet të ketë kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve” e paraparë në nenin 314, paragrafi 1, i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi