I akuzuari për vjedhje të shërbimeve jashtë vendit, gjykata lëshon urdhër arrest ndaj tij

20200609_102514 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Korrik 28, 2020

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, të martën ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Egzon Hasanaj.

Shkak i dështimit të seancës fillestare ishte mungesa e të akuzuarit Hasanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent në sallë të gjykimit ishte babait i të pandehurit, Muhamet Hasanaj, i cili bëri të ditur se i pandehuri gjendet jashtë vendit dhe se për arsye të pandemisë Covid-19, e ka pas të pamundur ardhjen në Kosovë.

Në këto rrethana, gjykatësi Arben Mustafaj tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, duke shtuar se ndaj të pandehurit gjykata do të lëshoj urdhër arrest, për sigurimin e prezencës së tij.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Pejë, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Egzon Hasanajt, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hasanaj, më 5 shtator 2017, në fshatin Cërrcë, Komuna e Istogut, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar ka penguar njehsorin në regjistrimin e energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se gjatë një kontrolli të bërë nga ana e ekipit të kompanisë së KEDS-it, tek i pandehuri kanë hasur në njehsor të pabllombuar dhe tri ura të tensionit matës të larguara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme ka shpenzuar energjinë elektrike, me çka të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 295.10 euro. /BetimipërDrejtësi