I akuzuari për vjedhje të rrymës kërkon zbutje të dënimit ose rigjykim të rastit

Lavdim Bajraktari - Rasti Ruzhdi Kokollari - 08.11.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Zbutje të dënimit apo rigjykim të rastit të tij, po kërkon nga Gjykata e Apelit, i akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale, Ruzhdi Kokollari.

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, më 26 qershor 2018, të akuzuarin Ruzhdi Kokollari e kishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale, “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Gjykata e shkallës së parë, atë e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh si dhe 100 euro gjobë, e cila nuk do të paguhet nëse i njëjti nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti.

Kundër këtij aktgjykimi, i akuzuari ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar siç duhet dhe është shkelur ligji penal.

Siç thuhet në ankesën e tij, i akuzuari ka theksuar se asnjëherë nuk ka vjedhur rrymë, se pretendimet e prokurorisë nuk janë të vërteta e as ajo që thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë.

Gjithashtu, siç pretendon i akuzuari në ankesën e tij, shkeljet esenciale në aktgjykimin e shkallës së parë, konsistojnë në atë se dispozitivi dhe arsyetimi i aktgjykimit janë kontradiktore.

Në fund të ankesës së tij, i akuzuari ka kërkuar nga Apeli që të ia zbut dënimin e shqiptuar apo që lëndën ta kthej në rigjykim.

Në anën tjetër, refuzimin e anekses së të akuzuarit dhe vërtetimin e aktgjykimit të Themelores, i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë, Prokuroria e Apelit.

Vet i akuzuari ishte i shkurtër në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, duke thënë se mbetet prapa ankesës që ka ushtruar në Apel, duke shtuar se nuk i ka kushtet e mira pasi që, jeton në shtëpi të refugjatëve.

Kokollari akuzohej se më 16 nëntor 2016, në shtëpinë e tij familjare në fshatin në Shirokë, Komuna e Suharekës, përfiton nga shërbimi komunal që furnizohet përmes përçuesit të rrymës pa autorizimin e furnizuesit, në atë mënyrë që shfrytëzon energjinë elektrike jashtë njehsorit elektrik, me ç’rast energjia e shpenzuar nuk është regjistruar fare në njehsorin elektrik.