I AKUZUARI PËR VJEDHJE TË RËNDË SHPALLET FAJTOR DHE DËNOHET ME GJOBË 500 EURO
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Fatmir Kuka i akuzuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pasi ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkohej, u dënua fillimisht me burgim prej gjashtë muaj mirëpo me aplikimin e zbutjes së dënimit, ai u zëvendësua me dënim me burgim prej tre muaj, i cili me pëlqimin e të pandehurit u shndërrua në dënim me gjobë prej 500 eurove. Shpallja e aktgjykimit ndaj Kukës,është bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga gjykatësja individuale e çështjes Hakile Ilazi.
Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Komunale në Ferizaj, i pandehuri Fatmir Kuka akuzohej për veprën penale “vjedhje e rëndë” sepse më 1 nëntor 2011, rreth orës 23:30, në shkollën fillore “Tefik Çanga”, në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete të pasurisë së luajtshme të tjetrit, në atë mënyrë që me përdorimin e forcës, ka hapur dritaren e zyrës së pedagogut dhe nga aty ka marrë çantën e krahut ku në të kishte 20 euro dhe disa dokumente të tjera, pronë e të dëmtuarës Adelina Zariqi.