I akuzuari për vjedhje të 2,300 eurove e kundërshton aktakuzën

20200626_100436
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Qershor 26, 2020

Drenas – I akuzuari Kreshnik Mala, në shqyrtimin e dytë të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka kundërshtuar aktakuzën që e ngarkon atë me veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ai dhe mbrojtësi i tij, avokati Rrahim Hajdari, kanë kërkuar që aktakuza për këtë rast të hudhet si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Hajdari ka deklaruar se aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij nuk ka prova bindëse, që do të dëshmonin se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Kurse, prokurori Musa Mehaj i kundërshtoi pretendimet e të lartpërmendurve, duke shtuar se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe atë, nga raporti i fillestar i incidentit, foto dokumentacioni, CD-ja, si dhe deklarata e dëshmitares, provohet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer veprën penale.

I njëjti kërkoi nga gjykata caktimin e shqyrtimit kryesor, pasi sipas tij nuk ka asnjë pengesë.

Në këto rrethana, gjykatësi Shefqet Baleci mori vendim për caktimin e shqyrtimit kryesor më 7 gusht 2020, nga ora 13:00, ku në cilësinë e dëshmitares do të ftohet e mitura A. Z.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 6 maj 2020, ka ngritur aktakuzë kundër Kreshnik Malës, të cilin e ka ngarkon me veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 315 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, me 25 mars 2020, rreth orës 19:50, në fshatin Qikatovë e Re, në shtëpinë e të dëmtuarit Habib Zymeri, në Drenas, i pandehuri Kreshnik Mala, në bashkëkryerje me të dyshuarin N.N, me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme vetit t’i sjellin përfitime pasurore në mënyrë të kundërligjshme, pasi që i pandehuri kishte lidhje shoqërore me vajzën e të dëmtuarit, të miturën A.Z, e cila kishte bërë foto me para në dhomën e gjumit të prindërve të saj dhe pasi që i pandehuri i ka parë fotot me para në dhomën e gjumit të të dëmtuarit, atëherë ka shkuar tek shtëpia e të njëjtit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri është afruar te dritarja e dhomës së ditës dhe aty ka parë të dëmtuarin, bashkëshorten e të dëmtuarit dhe vajzën e tij në kuzhinë, atëherë i dëmtuari ka hapur derën e hyrjes së shtëpisë, është ngjitur në katin e parë dhe ka hyrë në dhomën e të dëmtuarit, e ka mbyllur derën me qelës nga brenda dhe ka filluar të kontrolloj në orman, ku dhe ka gjetur paratë me vlerë 2,300 euro, ka hapur dritaren e dhomës, ka dal në terasë dhe nga aty ka kërcyer në oborr dhe është larguar nga shtëpia.

Thuhet se më pas i njëjti ia ka kthyer të miturës shumën prej 200 euro, kurse dëmi i shkaktuar pretendohet të jetë 2,100 euro. /BetimipërDrejtësi