I akuzuari për vjedhje rryme nuk e arsyeton mungesën, lëshohet urdhëresë për sjellje të detyrueshme ndaj tij

Foto 21.07.2021
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Korrik 21, 2021

Malishevë – Mungesa e të akuzuarit për vjedhje rryme, Shemsi Kastrati, u bë shkak që të mos mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Sipas gjykatësit Njazi Morina, i akuzuari ka qenë i ftuar në mënyrë të rregull, mirëpo nuk ka prezantuar dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Ndaj tij, gjykatësi Morina tha se do të lëshoj urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës u caktua më 7 shtator 2021, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Shemsi Kastrati akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 10 shtator 2018, në shtëpinë e tij, në vazhdimësi, me qëllim të fitimit, në mënyrë të paautorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u kyçur direkt në rrjetin elektrik, me çka e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Siç thuhet në aktakuzë, me këto veprime, ai i ka shkaktuar KEDS–it, Divizioni në Gjakovë, dëm në vlerë prej 176.19 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 77, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi