I akuzuari për vjedhje grabitqare vendos të heshtë, nuk i përgjigjet asnjë pyetjeje të gjykatës

Safet Smajlaj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shtator 23, 2020

Gjakovë- Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka vazhduar rigjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje grabitqare, Safet Smajlaj.

Me të filluar seanca, i akuzuari Smajlaj tha se nuk do të deklarohet në lidhje me asgjë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Madje edhe kur gjykatësi Gëzim Pozhegu fillojë me marrjen e të dhënave personale nga i akuzuari, ky i fundit qëndrojë në heshtje duke mos u përgjigjur kështu në asnjë pyetje.

I akuzuari nuk pranonte që të fliste as me mbrojtësin e tij të angazhuar sipas detyrës zyrtare, avokatin Avdi Rizvanolli.

Sidoqoftë, seanca më pas ka vazhduar me dhënien e dëshmisë nga ana e të dëmtuarit Lulzim Muhadri, i cili tha se mbetet prapa deklaratave të dhëna në prokurori dhe në seancat e shqyrtimeve gjyqësore të mbajtura më herët.

Ai tha se nuk kërkon kompensim dëmi dhe se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, duke shtuar se vetëm kërkon që i akuzuari të rrijë larg familjes së tij.

E meqenëse në seancë ka munguar e dëmtuara Fitore Muhadri, prokurori Ali Uka propozojë që deklaratat e saj të dhëna më herët në shqyrtimet e mëparshme të lexohen.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, Ajet Bunjaku, në lidhje me ekspertizën e bërë nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, në lidhje me shëndetin mendor të të akuzuarit.

Eksperti Bunjaku deklaroi se është konstatuar se i akuzuari Smajlaj vuan nga një çrregullim mendor i quajtur çrregullim personaliteti-tip asocial.

Sipas ekspertit, një gjendje e tillë karakterizohet me veprime të vazhdueshme antisociale, vështirësi adaptive dhe jokritik për sjelljet e tij.

“Llogaritshmëria e tij në momentin e kryerjes së veprës ka qenë e zvogëluar”, deklaroi tutje eksperti.

Pas kësaj dhe meqenëse i akuzuar ka vendosur të mbrohet në heshtje, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu caktoi 20 tetorin për dhënien e fjalëve përfundimtare.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, me 2 gusht 2019, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Smajlaj dhe e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv dhe 150 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë është e obliguar që në arsyetim të aktgjykimit t’i paraqesë shkaqet për çdo pikë të arsyetimit edhe kur të akuzuarit i është shqiptuar dënim nën minimumin e paraparë për veprën penale për të cilën e ka shpallur fajtor.

Sipas Apelit, rrethanat lehtësuese që i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, nuk janë rrethana me të cilat mund të ulet dënimi deri në atë masë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Safet Smajlaj po ngarkohet me veprën penale “vjedhje grabitqare” nga neni 328 parag.2-1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, me 22 shkurt 2019, në rrugën “Musa Zajmi” në Gjakovë, përkatësisht në furrën e bukës “Aroma”, duke qenë i zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes dhe me qëllim që pasurinë e vjedhur të mbajë ka përdorur forcën.

Tutje sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që ditën kritike rreth orës 22:05, gjersa e dëmtuara Fitore Muhadri ishte duke punuar në furrë, i akuzuari Safet i kamufluar me një maskë jo profesionale, i veshur me një xhaketë të bardhë hynë me të shpejtë në furrë dhe duke mos folur asgjë hyp mbi banak dhe menjëherë merr kasën me të holla të metalit dhe menjëherë ikën.

Tutje, sipas aktakuzës, e dëmtuara fillon të bërtasë e të cilën britmë e dëgjon babai i saj Lulzimi, i cili ishte duke punuar në bodrumin e ndërtesës, i cili menjëherë ngjitet lartë në furrë, ku ka vërejtur të akuzuarin me kasën me të holla në dorë dhe vrapon për ta ndaluar, para se të hypë në biçikletë fillon një kacafytje mes tyre, në një moment të akuzuarit i bie kasa në tokë, e më pas i akuzuari në ato momente nga biçikleta merr një thikë me të cilin e kanos të dëmtuarin Lulzim se do ta sulmojë, ashtu që gjatë kacafytjes me të akuzuarin i bie në tokë telefoni “Samsung” ne vlerë prej 120, të cilin ia merr i akuzuari dhe ikën nga aty, duke e lënë në vendin e ngjarjes biçikletën të cilën e sekuestrojnë Policia e Kosovës. /BetimipërDrejtësi