I akuzuari për vjedhje grabitqare refuzon avokatin mbrojtës që ia ka caktuar gjykata

Safet Smajlaj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shtator 4, 2020

Gjakovë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vjedhje grabitqare, Safet Smajlaj.

Me të filluar seanca, i akuzuari Smajlaj tha se nuk ka nevojë për avokat mbrojtës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kam nevojë për avokat, avokat jam vetë, mbrona vetë, e di ligjin. Këta mundohen me ma rras. Nuk kam nevojë për ta.”, deklaroi i akuzuari.

Mirëpo, gjykatësi Gëzim Pozhegu e njoftoi të akuzuarin se për veprën penale me të cilën akuzohet ai, ligji e parasheh që mbrojtja është e detyrueshme dhe se gjykata ia ka caktuar  atij avokatin sipas detyrës zyrtare.

E mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Muharrem Hadri, i caktuar sipas detyrës zyrtare, tha se i akuzuari nuk pranon që të komunikojë me të, me arsyetimin se ai nuk ka nevojë për avokat dhe se ligjin e dinë vetë.

I akuzuari Smajlaj më pas tha se do të angazhojë avokat me para të tij, pasi që sipas tij, avokatin që e paguan shteti punon për gjykatën e jo për të.

Në këto rrethana, avokati Hadri ia dorëzojë gjykatës shkresat e lëndës, të cilat i kishte pranuar paraprakisht nga avokati paraprak i të akuzuarit, Ilir Hoxhaj.

Sidoqoftë, seanca më pas është shtyrë për 23 shtator për shkak të mungesës së të dëmtuarve, të cilët, sipas gjykatës, kishin qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, me 2 gusht 2019, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Smajlaj dhe e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv dhe 150 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë është e obliguar që në arsyetim të aktgjykimit t’i paraqesë shkaqet për çdo pikë të arsyetimit edhe kur të akuzuarit i është shqiptuar dënim nën minimumin e paraparë për veprën penale për të cilën e ka shpallur fajtor.

Sipas Apelit, rrethanat lehtësuese që i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, nuk janë rrethana me të cilat mund të ulet dënimi deri në atë masë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Safet Smajlaj po ngarkohet me veprën penale “vjedhje grabitqare” nga neni 328 parag.2-1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, me 22 shkurt 2019, në rrugën “Musa Zajmi” në Gjakovë, përkatësisht në furrën e bukës “Aroma”, duke qenë i zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes dhe me qëllim që pasurinë e vjedhur të mbajë ka përdorur forcën.

Tutje sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që ditën kritike rreth orës 22:05, gjersa e dëmtuara Fitore Muhadri ishte duke punuar në furrë, i akuzuari Safet i kamufluar me një maskë jo profesionale, i veshur me një xhaketë të bardhë hynë me të shpejtë në furrë dhe duke mos folur asgjë hyp mbi banak dhe menjëherë merr kasën me të holla të metalit dhe menjëherë ikën.

Tutje, sipas aktakuzës, e dëmtuara fillon të bërtasë e të cilën britmë e dëgjon babai i saj Lulzimi, i cili ishte duke punuar në bodrumin e ndërtesës, i cili menjëherë ngjitet lartë në furrë, ku ka vërejtur të akuzuarin me kasën me të holla në dorë dhe vrapon për ta ndaluar, para se të hypë në biçikletë fillon një kacafytje mes tyre, në një moment të akuzuarit i bie kasa në tokë, e më pas i akuzuari në ato momente nga biçikleta merr një thikë me të cilin e kanos të dëmtuarin Lulzim se do ta sulmojë, ashtu që gjatë kacafytjes me të akuzuarin i bie në tokë telefoni “Samsung” ne vlerë prej 120, të cilin ia merr i akuzuari dhe ikën nga aty, duke e lënë në vendin e ngjarjes biçikletën të cilën e sekuestrojnë Policia e Kosovës. /BetimipërDrejtësi