I AKUZUARI PËR VJEDHJE DËNOHET ME TRE MUAJ BURGIM ME KUSHT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Ajriz Zeqiri i akuzuar për veprën penale “vjedhje”, pas pranimit të fajësisë për këtë vepër u dënua me burgim me kusht në kohëzgjatje prej tre muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej gjashtë muaj. Shpallja e aktgjykimit ndaj Zeqirit u bë nga gjykatësi individual i çështjes, Adem Shabani, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Para shpalljes së aktgjykimit, sipas procedurës i pandehuri menjëherë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Veton Shabani, lidhur me fajësinë deklaroi se është fajtor dhe e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet me aktakuzë, si dhe shtoi se këtë vepër e ka kryer për shkak të kushteve shumë të vështira ekonomike pasi që tha se edhe nuk punon askund, ndërsa këtë e ka kryer për t’i siguruar nënës së tij medikamentet sepse siç deklaroi ai, nëna e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ka pasur mundësi tjetër se si të arrinte t’i siguronte ato.

Pasi që i akuzuari pranoi fajësinë që në shqyrtimin fillestar, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën themelore në Ferizaj, gjykatësi i çështjes Adem Shabani pas vendosjes shpalli aktgjykimin me të cilën i pandehuri Ajriz Zeqiri për shkak të veprës penale  “vjedhje” nga neni 325 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, u shpall fajtor dhe iu shqiptua dënimi me burgim me kusht në kohëzgjatje prej tre muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej gjashtë muaj, e po ashtu me aktgjykimin e shpallur u obligua që në emër të shpenzimeve procedurale t’i paguaj kësaj gjykate shumën prej 20 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Ajriz Zeqiri akuzohej për veprën penale “vjedhje” sepse me datën 20 tetor 2014, në kohë të pacaktuar në Qendrën Tregtare “Super Viva”, në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete të pasurisë së luajtshme të tjetrit, ka vjedhur tri herë radhazi tri shishe të qelqit me pije alkoolike “Greyguz” që sipas të dëmtuarit vlera e një shishe është 36,90 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë