I akuzuari për tregti të ndaluar kërkon hudhjen e aktakuzës, prokurorja thotë se ka prova në të cilat mbështetet aktakuza

20210215_112655
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 22, 2021

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega Istog, të hënën është mbajtur seanca e shqyrtimit të dytë ndaj të akuzuarit për tregti të ndaluar, Qendim Haskaj, i cili përmes mbrojtësit të tij, ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Mbrojtës i të akuzuarit, avokati Zeqir Bërdynaj fillimisht e ka njoftuar gjykatën që, kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave e ka përgatit në formë të shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kërkoj nga gjykata, që aktakuzën e ngritur ndaj të mbrojturit tim ta hudhë. I mbrojturi im, nuk është fajtor që kafshët i ka ble prej një njeriut që e ka njohtë. Andaj, unë qëndrojë pranë parashtresës sime të bërë me shkrim, ku kërkoj hudhje të aktakuzës.”, ka thënë Bërdynaj.

Nga ana tjetër prokurorja Lumturije Vuqetaj, ka kërkuar që aktakuza të merr formën e prerë, ngase sipas saj, pretendimet e palës së akuzuar nuk qëndrojnë.

“Mbrojtja është thirr në idenë, se prokuroria ka ngritë aktakuzë duke u mbështetur në prova të papranueshme, dhe atë ne kallëzimin penal dhe ekspertizën e ekspertit të veterinarisë Luan Vrella, gjersa nuk e ka arsyetuar se çka ka konsideruar si provë të papranueshme, dhe mbi çfarë baze konsideron se janë të papranueshme provat e tilla”, ka thënë Vuqetaj

Tutje Vuqetaj ka deklaruar, se mbrojta nuk mund të thirret në të njëjtën kohë në faktin se aktakuza është e mbështetur në prova të pamjaftueshme e në tjetrën anë të thirret se nuk ka vepër penale, meqenëse aktakuza nuk është ngritur mbi bazën e provave që janë potencuar nga ana e mbrojtjes, por mbi bazën e një sërë provash ligjore, të cilat janë marrë komfor dispozitave ligjore.

“Sa i përket praktikave gjyqësore të konstatuara nga mbrojtja e të pandehurit, si në aspektin vendor ashtu edhe kroat të njëjtat nuk qëndrojnë, meqenëse referuar komentarit të KPP-së, nenit 305, paragrafi 5, po ashtu autorët e këtij komentari, kanë konstatuar: ‘për të gjitha mallrat, sendet dhe shërbimet e tjera nevojitet leje nga organi kompetent shtetëror’, çka nënkupton se edhe për mallrat që nuk janë të ndaluara, kërkohet një leje përkatëse, e që në rastin konkret këtu i pandehuri nuk ka poseduar një gjë të tillë”, ka shtuar Vuqetaj.

Pas kësaj gjykatësi Arben Mustafaj, tha se gjykata do të vlerësoi pretendimet e dyja palëve dhe do të vendosë mbi kërkesën për hudhjen e aktakuzës, ku më pas do të njoftohen palët lidhur me vendimin.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 13 korrik 2020, e ngarkon të akuzuarin Qendrim Haskaj, me veprën penale “tregtia e ndaluar”, nga neni 299 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri më 22 maj 2020, në fshatin Sinaj të Komunës së Istog, pa autorizim ka blerë mall, respektivisht tridhjetë e dy (32) krerë qengja dhe një (1) dash.

Sipas aktakuzës, i pandehuri i kishte blerë dhe ngarkuar të njëjtat kafshë në automjetin e tij, kombi “Renault Master”, me ç’rast përderisa i njëjti ka qenë duke qarkulluar në vendin e lartcekur së bashku me dëshmitarin Diamant Rexhaj, është ndaluar nga policia, e ku pas verifikimit, këtë të fundit kanë gjetur se i pandehuri nuk ka poseduar asnjë dokument mbi prejardhjen e kafshëve, si dhe kanë konstatuar se asnjëra prej kafshëve nuk ka poseduar vath matrikulimi në vesh.

Aty thuhet se, kafshët në fjalë sipas ekspertit kanë qenë të racës gjermane “Virtemberg”, si racë mjaftë e rrallë në vendin tonë, me ç’rast nga ana e doganës është konstatuar se vlera e kafshëve ka qenë 2 mijë e 970 euro. /BetimipërDrejtësi