I akuzuari për terrorizëm: Refuzoj që avokati im të quhet mbrojtësi im, për shkak se mbrojtësi im i vetëm është Allahu

IMG-2158
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 11, 2019

Prishtinë – Njëri nga të akuzuarit për terrorizëm, Rasim Kastrati, ka kërkuar që gjykata avokatit të tij, Hamdi Jashanica të mos i referohet si mbrojtësi i tij, pasi sipas të akuzuarit mbrojtësi i tij i vetëm është Allahu.

“Refuzoj që avokati im të quhet mbrojtësi im, për shkak se mbrojtësi im i vetëm është Allahu, dhe nuk dëshiroj të quhet si mbrojtës, por dua t’i referohet si avokati im”, ka deklaruar i akuzuari Kastrati.

Këtë kërkesë, i akuzuari Kastrati e ka bërë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për vepra penale të terrorizmit, së bashku me Kastratin po akuzohen edhe Bujar Behrami, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri e njoftoi të akuzuarin Kastrati se trupi gjykues zbaton procedurën penale sipas Kodit të Procedurës Penale, dhe se gjatë shqyrtimit gjyqësor ky trup gjykues do t’i referohet këtij kodi, i cili sipas Tahirit, parasheh që avokati është mbrojtës i të akuzuarit në shqyrtim gjyqësor, i cili mbron interesat e tij gjatë procedurës gjyqësore.

Ndryshe, në këtë seancë me pëlqimin e palëve, provat që janë të propozuara në aktakuzë janë konstatuar të lexuara, përveç videove dhe CD-ve të cilat janë provuar të dëgjohen në këtë seancë.

Mirëpo, pasi ka filluar të dëgjohet CD-ja me përmbajtje të monitorimit të fshehtë të bisedave në vende publike dhe private për të akuzuarin Kastrati, mbrojtësi i të akuzuarës Edona Haliti, avokati Ali Rexha ka kërkuar që prokuroria të përcaktojë pjesët në këtë CD, në të cilat kishte veprimet inkriminuese të të akuzuarve, pasi sipas tij, në këtë CD kishte edhe fjalë që kishin të bëjnë me familjen.

Po ashtu, ai ka kërkuar që në momentin kur të dëgjohet CD-ja që kishte lidhje me bisedën që e mbrojtura e tij Haliti, e kishte bërë me bashkëshortin e saj, tani të akuzuarin Gramos Shabani, të përjashtohet publiku, ngase sipas avokatit bisedat e tyre ishin private dhe intime.

Ndër të tjera ai ka kërkuar që kjo CD të mos dëgjohet, pasi sipas tij përmbajtja saj ishte e shënuar në procesverbalin e intervistimit të të akuzuarës Haliti.

Edhe i akuzuari Shabani e ka mbështetur këtë propozim të avokatit Rexha.

Mirëpo, prokurori special Afrim Shefkiu ka thënë se audio incizimet mes të akuzuarve Haliti dhe Shabani nuk përmbanin biseda intime, ngase sipas tij edhe roli i prokurorisë ishte ruajtja e intimitetit familjar.

Sipas tij, dëgjimi i këtyre CD-ve ishte i rëndësishëm për faktin se përmbajtja e këtyre bisedave ndërlidhet me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

Kështu, trupi gjykues e obligoi prokurorin Shefkiu që t’i përfshijë në një CD të vetme, vetëm përmbajtjen e bisedave që ishte relevante për këtë çështje penale.

Ndryshe, në këtë seancë, gjykatësi Tahiri ka njoftuar për kërkesën e mbrojtësit së të akuzuarit Ademaj, avokatit Zahir Hamza drejtuar Gjykatës Supreme për vlerësimin e vlefshmërisë së masës së paraburgimit.

Ai njoftoi se Supremja me 5 prill 2019, i kishte kthyer shkresat e lëndës duke konstatuar se për të vendosur në lidhje me kërkesën në fjalë, kompetente ishte gjykata e shkallës së parë.

Prandaj, trupi gjykues njoftoi se ende nuk kishin pushuar shkaqet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit për të akuzuarin Albert Ademaj.

Ky trup gjykues, po ashtu ka njoftuar se në lidhje me propozimin e mbrojtësit së të akuzuarit Behrami, avokatit Besnik Jakupi, që ndaj të akuzuarit Behrami të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, kishin marrë njoftimin me shkrim nga departamenti shëndetësor i burgjeve.

Bazuar në këtë njoftim, trupi gjykues e ka refuzuar propozimin për ekzaminim psikiatrik, ngase sipas gjykatësit Tahiri, bazuar në raportin shëndetësor ishte konstatuar se gjendja shëndetësore e të akuzuarit Behrami ishte stabile.

Edhe i akuzuari Behrami e ka kundërshtuar propozimin e avokatit Jakupi, ngase sipas tij, ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk kishte nevojë për një ekzaminim të tillë.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 12 prill 2019, në ora 9:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 tetor 2018, të akuzuarit Bujar Behrami e Resim Kastrati, gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 e deri me datën 29 qershor 2018, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Bujar Behrami ka tentuar ta krijojë grupin me emër “Ndihmëtarët e shtetit Islam në tokën e shqiponjave”, për të vepruar në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Veçmas janë përgatitë për sulme terroriste në diskotekat “Insomnia” dhe “Kamboxha” në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë “Moskva”, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë.

Në aktakuzë thuhet se Resim Kastrati është angazhuar në drejtim të furnizimit me armë të zjarrta dhe materiale plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.

I akuzuari Bujar Behrami, sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë muajit prill – maj të vitit 2018, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë, e gjatë komunikimit me personin e quajtur Mursel Murseli, i njëjti nga Gjermania ka dërguar mjete financiare për të dyshuarin Resim Kastrati, me qëllim të blerjes së materialeve eksplozive dh armëve të zjarrta.

Në aktakuzë thuhet se me datë 20 prill 2018, 24 prill 2018 dhe 14 maj 2018, përmes institucioneve për transferimin e parave “Money Gram” dhe “Ëestern Union”, tërthorazi ka dërguar shumën e të hollave prej 2629.45 euro, 3117.01 euro dhe 3255.00 euro (gjithsej 9001.46 euro), në emër të personit të quajtur Petrit Gashi (dëshmitar anonim) i shpallur nga Gjykata, e që edhe të njëjtat transaksione me implementimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit janë konfirmuar nga vet i dyshuari Behrami.

Me këtë, sipas prokurorisë, Bujar Behrami, ka kryer veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, nga neni 138, par. 1 i KPRK – së.

Aktakuza e ngarkon edhe Gramos Shabanin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144, par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”, nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, i akuzuari Gramos Shabani, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë, meqë është edhe shtetas belg.

Sipas prokurorisë, ai ka planifikuar sulm vetëvrasës me eksploziv në vende ë frekuentuara me qytetarë, e që me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimin e bisedave ne vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës – DKT, në Prishtinë, më 05 qershor 2018, i njëjti arrestohet.

Po ashtu, Gramos Shabani, me 02 qershor 2018, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti nga Hajvalia, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet, ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë dhe në vendet e tjera të frekuentuara me qytetarë, e duke e planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materiale eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkon me veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 i KPRK – së.

E akuzuara Edona Haliti, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit Gramos Shabani, është përfshirë bë veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë, si dhe në vende të tjera të frekuentuara me qytetarë, duke u furnizuar me armë të zjarrta dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Për shkak të këtyre veprimeve, aktakuza e ngarkon Edona Halitin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

Dy të akuzuari e tjerë Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, prokuroria i akuzon se nga muaji dhjetor 2017, e deri më 29 qershor 2018, në Prishtinë dhe vende të tjera në Kosovë, edhe pse kanë qenë në njohuri dhe të informuar se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitë akte terroriste në Kosovë, nuk i kanë lajmëruar në polici për veprimet inkriminuese të veprave penale nga kapitulli XIV – veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 1, lidhur me veprën penale nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

Me këtë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, sipas aktakuzës, kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nga neni 386, par. 1, nën paragrafi 1.4 i KPRK – së.

Të akuzuarit Leotrim Musliu, i vihet barrë edhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas aktakuzës, në kohë të pa vërtetuar, pa leje valide, e në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, i akuzuari Musliu, ka siguruar dhe mbajt në pronësi armë të zjarrtë – pushkë automatike, që me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë së Kosovë, e njëjta, bashkë me municion, i janë sekuestruar. /Betimipërdrejtësi