I akuzuari për terrorizëm pranon fajësinë, thotë se pendohet thellë pasi humbi gruan në Siri

Raporton: Mirvet THAQI

Prishtinë – I akuzuari Murat Dernjani, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale, Florie Shamolli, i akuzuari Dernjani, ka thënë se ndihet fajtor për këtë vepër penale.

Për aktakuzën që ishte ngritur ndaj tij në dhjetor të vitit 2018, i akuzuari Dernjani, në seancën fillestare, ka deklaruar se pendohet thellë dhe ndien keqardhje për kohën që ka qëndruar në Siri, pasi gjatë katër vjetëve atje, ka humbur gruan e tij.

Për rrugën që kishte marrë, ai ka thënë se ishte rezultat i mashtrimeve të shoqërisë dhe shokëve të tij.

I akuzuari ka thënë se falënderon shtetin e Kosovës që ia ka mundësuar atij kthimin nga Siria, duke shtuar se tanimë është në gjendje të fillojë një jetë të re më fëmijët e tij në Kosovë.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet e shtetit të Kosovës dhe vendeve tjera mike për të ndihmuar në zbulimin edhe të pjesëmarrësve tjerë në këto luftëra.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Shamolli, e cila ka thënë se ky akt ishte i vullnetshëm dhe se gjente mbështetje në provat dhe faktet që gjendeshin në shkresat e lëndës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli, më pas e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit si dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 14 janar 2019, duke filluar nga ora 08:45.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2018 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Murat Dernjani, akuzohet se me qëllim që t’i bashkëngjitet grupit terrorist në Siri, nga muaji mars të vitit 2013, me dëshirë, me vetëdije dhe paramendim ka udhëtuar përmes rrugëve të ndryshme për në qytetin e Stambollit në Turqi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte qëndruar në lagjen “Kadëkej” të Stambollit dhe pas një kohe së bashku me bashkëshorten A. D dhe djalin e tij M.D, janë vendosur në Kilis në juglindje të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, prej nga arrin në Gaziantep dhe pastaj i është bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS.

Ai akuzohet se ishte pajisur me armë dhe municion, duke qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, derisa është tërhequr nga atje dhe i është dorëzuar autoriteteve turke, duke kërkuar që të kthehet në Kosovë, me çka, siç thuhet në aktakuzë, eprorët përkatës ia kanë mundësuar kthimin në Kosovë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë